Arbnor Muja u inkuadrua në minutën e 60-të dhe doli vendimtar për Samsunsporin, duke shënuar golin e fitores 2-1 kundër Kayserisporit në shtëpi.

Kjo fitore në ndeshjen e fundit të sezonit në Superligën e Turqisë e ngjiti Samsunsporin në vendin e tretë me 64 pikë, duke i siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Evropës për edicionin e ardhshëm.


Muja e shënoi golin e fitores në minutën e 8-të të kohës shtesë, vetëm tri minuta pasi Kayserispori kishte barazuar rezultatin në 1-1.

Festë e paparë te lojtarët dhe tifozët e Samsunspor, pas golit të Mujës, që ua siguroi kalimin në garën e dytë më të fortë evropiane.

Samsunspor deri më sot nuk ka luajtur asnjëherë në garat evropiane dhe goli i Mujës, po del të jetë historik, pasi fitorja e sotme e mbajti Samsusportin në vendin e tretë, me dy pikë më shumë se sa Besiktas i katërti.

Ai nga SofaScore u vlerësua me notën 7.3, ndërsa përveç golit ai kishte edhe 26 prekje topi, një pasim kyç dhe një driblim të suksesshëm.

Ky ishte goli i tretë i Mujës në kampionat, ku ai gjithashtu kontribuoi me dy asistime në 35 ndeshje të luajtura këtë sezon. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app