Arbër Hoxha komenton kualifikimin në play-off të Botërorit, shpreson të ketë minuta ndaj Anglisë

Sulmuesi Arbër Hoxha thotë se dëshiron të zhvillojë minuta edhe në përballjen ndaj Anglisë.
Hoxha ka folur pas triumfit historik të Shqipërisë në Andorrë, ku siguruan kualifikimin në play-offin e Botërorit për herë të parë në histori.
Pas ndeshjes, ai deklaroi se shpreson të ketë minuta edhe ndaj Anglisë kurse fitoren ia dedikoi të gjithë shqiptarëve.
“Ishte një ndeshje e vështirë, e dinim që Andorra do të luante kështu. Shyqyr Zotin në pjesën e dytë e ndryshuam impaktin e lojës dhe fituam 3 pikët”.
“Gjithmonë është kënaqësi të jem këtu. E vendos trajneri sa do të luaj. Çdo lojtar dha maksimumin dhe e fituam ndeshjen”.
“Normale, do të doja të isha edhe ndaj Anglisë, te klubi luaj çdo tre ditë, e kam arritur ritmin e lojës, dhe jam i gatshëm të luaj titullarë. Ia dedikoj gjithë shqiptarëve anë e mbanë botës këtë sukses dhe atyre që kishin marrë rrugë të largët dhe ishin këtu”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Shqipëria kundërshtarët do t’i mësojë më 21 nëntor për play-offin e Botërorit./Telegrafi/



















































