LAJMI I FUNDIT:

Aplikacioni në iPhone mund të lexojë mendjen

Aplikacioni në iPhone mund të lexojë mendjen

Pajisja XWave me të vërtetë duket si një rekuizitë e cila përdoret për incizimin e filmave si ai "Star Wars", por përkundër kësaj është funksional dhe i dizajnuar për të lexuar mendjen, e punon me ndihmën e aplikacionit për iPhone.

XWave u mundëson përdoruesve që me mendje të udhëheqin me objekte të cilat gjenden në ekran, si dhe të ushtrojnë kontrollin e vëmendjes së tyre dhe nivelit të relaksimit, ka njoftuar gazeta britanike Daily Mail.

Kjo pajisje është zbulimi i fundit në fushën e pajisjeve me të cilën mund të udhëhiqet me mendje. Punon falë kufjes e cila vendoset përreth kokës dhe me anë ta kabllos lidhet me iPhone. Sensori në pajisje më pas “lexon” mendimet dhe i shndërron ato në sinjale digjitale para se t’i shfaqë ato në ngjyra të ndryshme në ekranin e iPhone.


Kur truri të përqendrohet në një detyrë të caktuar, ndryshohet edhe paraqitja grafike në ekran, duke shfaqur nivelin e përqendrimit apo relaksimit të tij.

Sensorin e teknologjisë së lartë e ka zhvilluar kompania "PLX Devices" duke shfrytëzuar teknologjinë të cilën doktorët e përdorin me vite tek pacientët të cilët vuajnë nga epilepsia.

Themeluesi dhe drejtori i kompanisë "PLX Devices" Paul Lowchareonkul ka thënë se është vetëm çështje kohe kur kjo pajisje do të fillojë të përdoret masivisht.

“Truri i njeriut është gjëja më e fuqishme dhe më e komplikuar në botë, e tani për herë të parë mund të shfrytëzojmë fuqinë e tij të pabesueshme dhe ta lidhim me teknologjinë. Me zhvillimin e aplikacioneve tredimensionale, potenciali për inovacione nuk ka kufij”, ka thënë Lowchareonkul.

Ushtrimet e trurit përfshijnë përqendrimin e mendimeve në ngritjen e topit i cili gjendet në ekran apo ndryshimin e ngjyrës së tij duke pushuar trurin.

Zyrtarët e kompanisë thonë se janë duke punuar në teknologjinë e cila do të mundësojë luajtjen e lojërave me anë të mendjes, kontrollimit të dritave në shtëpi, e madje edhe përzgjedhjen e muzikës në iPod varësisht nga qejfi i përdoruesit.

Dizajnuesit pohojnë se mundësitë e kësaj teknologjie janë të pakufishme, si për relaksim, ushtrim truri, zbavitje, lojëra, shoqërim, sport apo ëndërr. /Telegrafi/