Anulohet vendimi për kompensimin e shpronësimit përmes koeficientit të ndërtimit në Fushë Kosovë

Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka anuluar në tërësi Vendimin nr. 641, të datës 14 qershor 2023, i cili kishte të bënte me kompensimin e shpronësimit të pronave private përmes rritjes së koeficientit të ndërtimit.
Sipas njoftimit zyrtar të komunës, pas një rishqyrtimi ligjor dhe administrativ është konstatuar se ky vendim dhe aktet përcjellëse nuk kanë qenë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Si rrjedhojë e anulimit, shfuqizohen edhe të gjitha veprimet juridike të ndërmarra në bazë të këtij vendimi, si dhe pasojat juridike që kanë rezultuar nga zbatimi i tij, përcjell Telegrafi.
Po ashtu, autoritetet komunale kanë vlerësuar se forma e kompensimit përmes rritjes së koeficientit të ndërtimit nuk përputhet plotësisht me parimet ligjore që rregullojnë procesin e shpronësimit, duke ngritur shqetësime për ligjshmërinë dhe drejtësinë e këtij mekanizmi.
Komuna e Fushë Kosovës ka theksuar se ky vendim nënvizon rëndësinë e vendimmarrjes së qëndrueshme, transparente dhe të bazuar në ligj, si dhe domosdoshmërinë e një balancimi të drejtë ndërmjet zhvillimit urban, interesit publik dhe të drejtave të pronarëve të pronave private.
Nga komuna është bërë e ditur se institucioni mbetet i përkushtuar për trajtim të barabartë për të gjithë dhe i hapur për informim dhe bashkëpunim korrekt me të gjithë aktorët relevantë, gjithmonë duke u mbështetur në kornizat ligjore në fuqi. /Telegrafi/















































