Kushtet e gabuara dhe mungesa e ushqimit janë arsyeja kryesore pse kjo bimë tropikale “hesht”

Ka bimë shtëpie që i japin hapësirës diçka të veçantë, sikur menjëherë ta rrisin energjinë e gjithë dhomës. Anturiumi është pikërisht i tillë. Lulet e tij mbresëlënëse, që duken pothuajse sikur janë prej dylli, dhe gjethet me shkëlqim ngjyrë jeshile të errët, e bëjnë një nga bimët më elegante që mund të mbani në shtëpi.


Shpesh quhet edhe lulja flamingo, sepse forma dhe ngjyra e saj kujtojnë këtë zog ekzotik. Edhe pse vjen nga zonat tropikale të Amerikës Qendrore dhe Jugore, anturiumi përshtatet çuditërisht mirë me jetën në ambiente të mbyllura, mjafton t’i siguroni disa kushte bazë.

Dhe kur ia “qëlloni” kushtet e duhura, ai mund të lulëzojë për vite me radhë.

Pse anturiumi ndonjëherë ndalon së lulëzuari?

Shumë njerëz e blejnë anturiumin në kulmin e lulëzimit dhe, pas disa muajsh, vërejnë se bima duket e shëndetshme, gjethet janë të bukura, por lulet mungojnë.
Kjo është një situatë shumë e shpeshtë.

Anturiumi mund të ndalojë lulëzimin kur i mungojnë:

  • drita e mjaftueshme indirekte
  • temperatura e qëndrueshme
  • lagështia e lartë e ajrit
  • ushqimi i herëpashershëm (plehërimi i butë)

Me fjalë të tjera, nuk është bimë “e vështirë”, por kërkon pak më shumë kujdes tropikal sesa bimët e zakonshme të shtëpisë.

Kushtet ideale për anturiumin në apartament

Nëse dëshironi që anturiumi të lulëzojë rregullisht, është e rëndësishme t’i krijoni një ambient që i ngjan klimës së tij natyrore.

Atij i përshtaten më së miri:

  • një vend i ndriçuar, por pa diell direkt
  • temperaturë ndërmjet 18 dhe 25°C
  • ujitje e moderuar, pa mbajtje uji në fund të vazos
  • ajër i lagësht, sidomos gjatë dimrit kur ngrohja e than ambientin

Toka duhet të jetë e lehtë dhe me kullim të mirë, sepse anturiumi nuk e duron ujin e tepërt në rrënjë – kjo është rruga më e shpejtë drejt kalbëzimit.

Gjithashtu, heqja e rregullt e gjetheve të thata dhe e luleve të vyshkura e ndihmon bimën ta përqendrojë energjinë në formimin e sytheve të reja, transmeton Telegrafi.

Truku natyral që e bën anturiumin të “çmendet” nga lulëzimi

Kur bima ngec, shumëkush menjëherë përdor plehra kimikë. Por ekziston edhe një alternativë e butë dhe natyrale, gjithnjë e më popullore mes adhuruesve të luleve - uji i tërshërës.

Tërshëra është e pasur me minerale dhe lëndë ushqyese që:

  • forcojnë rrënjën
  • përmirësojnë mbajtjen e lagështisë në tokë
  • nxisin rritjen e gjetheve dhe luleve të reja
  • ushqejnë bimën pa kimikate agresive

Përparësia e madhe e kësaj metode është se është shumë e butë dhe nuk e “djeg” bimën, siç mund të ndodhë me plehrat industrialë të fortë.

Si përgatitet uji i tërshërës për anturiumin?

Përgatitja është e thjeshtë dhe zgjat vetëm disa minuta.

Ju duhen:

  • 1 litër ujë i vluar
  • 2 lugë tërshërë (thekon)

Hapat:
Hidhni tërshërën në ujin e vluar, lëreni përzierjen të ftohet dhe më pas kullojeni. Me këtë lëng ujiteni anturiumin.

E rëndësishme: Këtë ushqim përdoreni maksimumi një herë në muaj, sepse anturiumi nuk ka nevojë për shumë shtesa, por për kushte të qëndrueshme.

Një këshillë e vogël që bën diferencë

Anturiumi preferon që rrënjët t’i ketë paksa të ngjeshura. Një vazo shumë e madhe mund ta ngadalësojë lulëzimin. Gjithashtu, spërkatja e lehtë e gjetheve ose vendosja e një ene me ujë pranë bimës ndihmon shumë gjatë muajve të thatë të dimrit.

Anturiumi – një bimë që zgjat me vite

Me kujdes të rregullt, ushqim natyral herë pas here dhe pak durim, anturiumi mund të mbetet i shëndetshëm dhe i harlisur për shumë vite, duke sjellë ngjyrë, elegancë dhe një frymë tropikale në çdo ambient.

Ndonjëherë, për një lule të re, mjafton vetëm pak vëmendje dhe një grusht tërshërë. /Telegrafi/