Ansambli “Bresana” nga treva e Opojës gjatë vitit 2024 është paraqitur në disa festivale të organizuara në Kosovë dhe jashtë vendit. Në festivalet e mbajtura brenda vendit ky ansambël ka arritur që sivjet të shpërblehet me katër çmime.

Në njoftimin e ShKA “Bresana” thuhet se çmimi i parë sivjet është marrë në Festivalin Folklorik të mbajtur në Hanin e Elezit, raporton Telegrafi.


“ShKA Bresana në muajin qershor ishte pjesë e  festivalit të Hanit të Elezit, ku u vlerësua më çmimin ‘Ansambli më autokton i festivalit’”, thuhet në njoftim.

Aty gjithashtu theksohet se në festivalin “Dyshja na bashkon” në Viti, ShKA Bresana është shpërblyer me vendin e parë, teksa valltari Osman Ahmeti është zgjedhur “Valltar i Karrierës”.

“Gjatë muajit qershor, sërish Ansambli ‘Bresana’ ishte pjesë e Festivalit ‘Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen’ në qytetin e Deçanit, ku në mesin e 30 ansambleve të ndryshme fitoi vendin e parë”, thuhet në njoftim, duke shtuar se juria ka vlerësuar vazhdimin e kultivimit të traditës opojare nga ky ansambël.

shka bresana ne bullgari

Ndërkaq, sipas njoftimit, Ansambli “Bresana” ka marrë pjesë edhe në festivalin ndërkombëtar Nedelino në Bullgari, ku para publikut të pranishëm janë prezantuar ritet e dasmave, vallet e burrave, këngët e vajzave dhe hyrja e nuses në skenë, raporton Telegrafi.

“Rishtazi, me 19 shtator të këtij viti, ShKA ‘Bresana’ ishte pjesëmarrëse në edicionin e parë të festivalit folklorik të këngëve dhe valleve ‘Folk fest’ të mbajtur në Shtime dhe aty ka fituar çmimin e festivalit”, thuhet në njoftim.

Në të njëjtën kohë është sqaruar se edhe në këtë festival, ansambli ka prezantuar në mënyrë të denjë ritet e zakonet opojare. /Telegrafi/