LAJMI I FUNDIT:

Anatomia e dy opsioneve

Anatomia e dy opsioneve

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që janë duke u zhvilluar nga kryetarët e këtyre dy shteteve, Thaçit dhe Vuçiqit, kanë vënë në shesh dy opsione të pamjes territoriale të Kosovës. Opsioni i parë, i cili duket të jetë më i fuqishëm, i mbron me ngulm kufijtë ekzistues. Opsioni i dytë favorizon shkëmbimin e territoreve, i cili fakt sjell ndryshimin e kufijve.

Para se të analizohen këto dy opsione, duhet ta kemi parasysh se Kosova është prodhim i dështimit të involvimit ndërkombëtar dhe, po ashtu, edhe dështim i nacionalizmit shqiptar. Bashkësia ndërkombëtare e ka krijuar Kosovën pasi që ka dështuar ta aplikojë parimin nacional me rastin e caktimit të kufijve të shtetit shqiptar më 1912. Në këtë aspekt ka dështuar edhe nacionalizmi shqiptar i cili u tregua i pafuqishëm në zbatimin e platformës nacionaliste që parashihte bashkimin e katër vilajeteve në një shtet nacional, siç u krijuan shumica e shteteve evropiane (joballkanike) në historinë bashkëkohore.

Rrënjët e dështimit duhet kërkuar në Kongresin e Berlinit (1878) ku Fuqitë e Mëdha e injoruan kërkesën nacionale shqiptare dhe lejuan zgjerimin e shteteve tjera ballkanike, duke mos e respektuar parimin nacional. Sikur ky parim të respektohej, në Ballkan do të krijoheshin shtete nacionale të qëndrueshme dhe do të sigurohej paqja në rajon e më gjerë. Në Berlin, Serbia, Greqia dhe Mali i Zi, u zgjeruan përtej ëndrrave të tyre. Por, e keqja më e madhe doli se këtyre shteteve iu bë me dije se në të ardhmen, me rënien e Perandorisë Otomane, do t’iu lejohet zgjerimi edhe më tej. Zgjerimi i këtyre shteteve u bë kryesisht mbi territoret të cilat programi nacional shqiptar i kishte shënuar si të vetat.

Pasi që Kongresi i Berlinit i ligjësoi aspiratat për zgjerim të këtyre shteteve ballkanike, Konferenca e Londrës dhe Kongresi i Versajës e vazhduan të njëjtën qasje. Vazhdoi refuzimi i zbatimit të parimit nacional apo etnik që ishte themeluar në Berlin. Kjo është arsyeja pse Serbisë iu dhurua Kosova dhe Maqedonia pa u respektuar kriteri i domosdoshëm etnik apo nacional.

Megjithatë, Kosova e sotme, në aspektin politik dhe administrativ, është prodhim otomano-jugosllav. Duhet kujtuar se Kosova si njësi administrative qe formuar nga pushteti otoman, por pamjen e sotme (juridike dhe politike) filloi ta merrte nga viti 1963 kur në Jugosllavinë socialiste hynë në fuqi ndërrimet e atëhershme kushtetuese. Pamja u kompletua me Kushtetutën e vitit 1974 kur Kosova hyri në federatën socialiste jugosllave si njësi federative. Me fjalë tjera, kufijtë me të cilët njihet sot shteti i Kosovës, janë krijuar në vitin 1974.

As në këtë rast nuk është zbatuar kriteri etnik apo nacional. Sikur ky kriter të ishte zbatuar, atëherë Leposaviqi me rrethinë nuk do të duhej të hynin në krijimin e Kosovës si njësi federale. E njëjta duhet të thuhet edhe për territorin e banuar me shqiptarë (shumicë absolute) që hyri në Serbi e që sot njihet me emrin Lugina e Preshevës. Injorim i parimit nacional nuk është bërë rastësisht. Kreu i atëhershëm komunist jugosllav e ka patur një qëllim kur nxori këtë vendim politik që u sanksionua me kushtetutë dhe ligje.

Caktimi i kufijve të Kosovës në këtë mënyrë nuk është bërë për herë të parë. Këtë parim më herët e ka zbatuar Perandoria Otomane. Në vitin 1876 pushteti otoman ndërmori masa të reformave administrative me të cilin rast qenë krijuar katër vilajetet shqiptare. Nga frika që kishte Porta e Lartë nga nacionalizmi shqiptar, i ndau shqiptarët në katër njësi administrative. Pos vilajetit të Shkodrës, në tri vilajetet tjera shqiptarët nuk kanë qenë shumicë absolute, përfshirë edhe vilajetin e Kosovës i cili në aspektin gjeografik kishte territor së paku edhe një herë më shumë se që ka sot Kosova si shtet i pavarur. Shqiptarët me qëllim u lanë në gjendje të përzier me etnitete tjera që ishin të numërta. Këtë situatë multi-etnike dhe multi-religjioze e favorizonin otomanët për shkak të qeverisjes më të lehtë dhe njëkohësisht iu bëhej me dije shqiptarëve se në mesin e tyre ka edhe etni tjera. Prandaj, nacionalistët shqiptarë në Lidhjen e Prizrenit, por edhe më vonë, kërkonin krijimin e vetëm një vilajeti i cili do të pranohej edhe nëse ‘rrumcallej’ apo ‘qethej’ anash. Kërkesa për krijimin i një vilajeti kishte për qëllim përgatitjen për krijimin e shtetit nacional shqiptar.

Pra, Kosova e Jugosllavisë socialiste, sikur edhe ajo otomane, u krijuan me qëllim që brenda saj të pengohej zhvillimi i nacionalizmit shqiptar. Eventualisht, me një strukturë të tillë nacionale, do të pengohej edhe krijimi dhe zhvillimi i shtetit të Kosovës, nëse arrihej ky stad. Nëse nuk jemi në dijeni se çfarë ka qenë vilajeti otoman i Kosovës në aspektin politik, këtë të Jugosllavisë e kemi para syve tanë. Kosovën e sotme nuk duhet ta studiojmë shumë për të parë që ajo ka probleme serioze të funksionimit mu për shkak të një pjesë të banuar me serbë e cila ngjitet me Serbinë.

Në aspektin e qeverisjes, as Kosova e pas vitit 1999 nuk ka qenë më ndryshe se dy rastet tjera. Në të tri këto raste Kosova ka qenë e dizajnuar që të qeveriset nga jashtë. Ne rastin e parë nga Stambolli, në të dytin nga Beogradi kurse në të tretin nga New Yorku dhe Brukseli. Nëse një qeverisje e këtillë nuk e ka dëmtuar shumë nacionalizmin shqiptar, me siguri e ka neutralizuar mjaft duke e vënë atë në opozitë, pozitë inferiore ose ilegalitet. Edhe sot, sikur edhe në të kaluarën, njerëzit që janë lidhur me këto qendra, kanë hyrë më lehtë në qeverisje dhe i kanë gëzuar më lehtë të mirat që sjell pushteti. Nuk ka qenë gjë e rastit kur UNMIK-u, EULEX-i, OSBE dhe OJQ-të ndërkombëtare favorizonin njerëzit të cilët më parë kishin shërbyer ose kishin patur lidhje me qeverisjen e vjetër të Kosovës që bëhej nga Beogradi. Kjo është një mënyrë (jo)normale për qeverisje të vendeve çfarë ishte dhe ende vazhdon të jetë Kosova.

Kjo situatë ka prodhuar politikanë, media dhe anëtarë të shoqërisë civile që tentojnë me ngulm ta ruajnë gjendjen ekzistuese pasi që varen nga ajo. Kjo garniturë sot nuk lejon ndryshimin e kufijve pasi që është e bindur në mbijetesën e Kosovës dhe kjo është arsyeja që këta sot u bien daulleve dhe surlave të ruajtjes së gjendjes ekzistuese. Në realitet kjo është një situatë jonormale e cila nuk duket të jetë më ndryshe se situatat e qeverisjes së mëparshme të Kosovës. Kjo gjendje do të ishte normale sikur Kosova dhe vendet përreth saj të ishin të karakterit skandinav, por ne të gjithë e dimë se situata, për fat të keq, është ndryshe.

Edhe sikur të ndodhte njohja nga Serbia, Kosova e ka shumë vështirë të mbijetojë me këta kufij që ka sot. Këta kufij do t’i mundësonin Serbisë që ajo me influencën e saj në mënyrë permanente ta destabilizojë Kosovën sa herë që dëshiron. Gjasat që Serbia ta konsiderojë Kosovën më shumë se një treg ku ajo plason mallrat e saja apo si një treg ku vetëm shet e nuk blen, janë të vogla. Prandaj, është vështirë të besohet që njohja e Kosovës brenda kufijve ekzistues sjell fqinjësi të mirë apo prosperitet të dyanshëm.

Zgjidhja e këtij problemi duket se ekziston në aplikimin e qasjes së dytë: shkëmbimit të territoreve. Kjo është një punë e thjeshtë: serbët marrin territoret me shumicë serbe dhe që ngjiten me Serbinë kurse Kosova merr territoret shqiptare qe ngjiten me Kosovën. Pra, zbatohet parimi nacional i cili i është mohuar Kosovës deri sot. Kjo mënyrë, po ashtu, e zhvlerëson nevojën e ekzistimit apo zbatimit të ‘Zajednicës’ pasi që serbëve që do të mbesin në Kosovë do t’ju garantohet e drejta e minoritetit sikur në të gjitha vendet tjera evropiane.

Me këtë variant Serbisë i mbyllen dyert e përzierjes në Kosovë. Mbi të gjitha, Prishtina, për herë të parë bëhet qendër nga ku do të qeveriset vendi (shteti) i cili do të lansohet në suazat e sovranitetit, kurse gjasat për fqinjësi të mirë në mes të dy vendeve shtohen në mënyrë të konsiderueshme.

Natyrisht, zbatimi i këtij opsioni kërkon garanci dhe ndihmë të ndërkombëtarëve. Këtë ndihmë, në aspektin moral dhe politik, do ta proklamonin fuqitë kryesore të Perëndimit, kurse do ta zbatonte KFOR-i. Megjithatë, fuqitë perëndimore nuk duket se kanë shprehur pajtueshmëri për këtë opsion. Sipas deklaratave, marrim vesh se ato edhe kësaj here nuk e favorizojnë krijimin e shteteve nacionale dhe vazhdojnë ta konsiderojnë Kosovën si multi-etnike edhe pse kriteret nuk janë plotësuar edhe sipas gjendjes së sotme ekzistuese. Brenga e tyre kryesore nuk është Kosova, por është Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia. Marrim vesh që edhe nëse situata kurorëzohet me marrëveshje që do të rregullonte problemin shqiptaro-serb, ndërkombëtarët nuk do të pajtohen me të për shkak të ndërrimit të kufijve e cila gjë do të ndikonte negativisht në stabilitetin e Bosnjës dhe Maqedonisë.

Por, a duhet tashti që shqiptarët dhe serbët të mos i zgjidhin problemet e tyre për shkak se zgjidhja reflektohet negativisht diku tjetër? Ndërkombëtarët duket se hezitojnë të angazhohen edhe një herë në zgjidhjen e problemeve të Ballkanit dhe në mënyrë indirekte kanë bërë me dije që nuk kanë kohë të merren më punë të huaja, sidomos me ato të Ballkanit, të cilin vend ata e konsiderojnë si burim të përhershëm të problemeve. Ndoshta ndërkombëtarët nuk kanë kohë të merren me këtë punë, por duhet ta dinë që burimin e problemeve në Ballkan, në një masë të madhe, e kanë krijuar ata vetë.

Në trend

Më shumë
PDK voton kryesinë e re të partisë - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

PDK voton kryesinë e re të partisë - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

Lajme
“Ka pak Kosovë brenda meje, ndihem danez”, talenti që po mahnit Danimarkën nuk i konsideron Dardanët

“Ka pak Kosovë brenda meje, ndihem danez”, talenti që po mahnit Danimarkën nuk i konsideron Dardanët

Përfaqësuesja e Kosovës
Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Muhamet Hajrullahu
Pakënaqësi me Ligjin e pagave, Jasharaj paralajmëron protestë më 1 maj - nuk e përjashton mundësinë e grevës

Pakënaqësi me Ligjin e pagave, Jasharaj paralajmëron protestë më 1 maj - nuk e përjashton mundësinë e grevës

Elfije Boletini
Pamje nga të shtënat ku nisi konflikti në Prishtinë, ku humbën jetën dy persona

Pamje nga të shtënat ku nisi konflikti në Prishtinë, ku humbën jetën dy persona

Kronika e Zezë
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori