Analistët vlerësojnë se manipulimet me vota, të cilat kanë dalë në pah pas rinumërimit, e kanë dëmtuar procesin zgjedhor në Kosovë. Sipas tyre, kjo ka ndodhur si pasojë e mungesës së monitorimit gjatë fazës së numërimit të votave. Ata e konsiderojnë urgjente nevojën për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet.

Manipulimi me vota, si asnjëherë më parë, tashmë ka dalë hapur në pah. Megjithatë, dallavere me vota, raste të vjedhjes së votës dhe madje edhe përfshirje të personave të dënuar kanë pasur edhe në zgjedhjet e kaluara.


Sadik Zeqiri, nga këndvështrimi i analistit politik, vlerëson se procesi zgjedhor është dëmtuar rëndë, duke theksuar nevojën urgjente për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet. Sipas tij, monitorimi i këtij procesi është në mandatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), por gjatë fazës së numërimit nuk ka pasur vëzhgim as nga organizatat vendore, as nga ato ndërkombëtare.

“Ligji për zgjedhjet duhet të ndryshohet sa më parë, sepse përndryshe krijohen keqpërdorime. Ndodh që votuesi voton për disa persona, por nuk i kujton të gjithë. Unë nuk shoh një organizim të mirëfilltë të njerëzve të mençur që kanë ndikuar te komisionerët, por kjo ka ndodhur si një dukuri shoqërore, e cila fatkeqësisht ka ndikuar në dëmtimin e kandidatëve”, tha Zeqiri.

Sipas tij, komisionerët janë të mbikëqyrur nga KQZ-ja, por është dashur të vëzhgohen edhe nga organizatat e ndryshme joqeveritare, mediat dhe vëzhgues të tjerë.

"Nuk ka pasur vëzhgim dhe, kur nuk ka vëzhgim, manipulohet vota. Prandaj ekziston një hierarki e fajit, nga KQZ-ja e nga lart-poshtë e anasjelltas. Dikush duhet të marrë përgjegjësi për këtë çështje. Megjithatë, vëzhgim nuk ka pasur dhe kjo lidhet edhe me faktin se numërimi ka filluar gjatë kohës festive”, thaksoi ai.

Edhe organizatat joqeveritare që kanë monitoruar procesin deri në ditën e votimit vlerësojnë se procesi zgjedhor është dëmtuar. Mirëpo, sipas tyre, faza e numërimit nuk ka qenë pjesë e mandatit monitorues.

Në këtë kontekst, Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) theksoi se monitorimi i IKD-së, si projekt, ka qenë i fokusuar vetëm deri në ditën e zgjedhjeve dhe jo në qendrat e numërimit, duke theksuar gjithashtu nevojën për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet.

“Që nga viti 2021 janë instaluar dhe janë mbikëqyrur procedurat e numërimit të kandidatëve për deputet në qendrat komunale të numërimit, si dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, si për balotazhin ashtu edhe për asambletë komunale. Edhe në këto zgjedhje të dhjetorit kanë qenë funksionale. Normalisht, KQZ i përdor këto mekanizma kur dëshiron të verifikojë mundësinë e manipulimit të ndonjë rezultati apo vote të ndonjë kandidati, qoftë me kërkesë të kandidatëve që dyshojnë se janë dëmtuar nga sistemi i formularëve, qoftë edhe me vetëiniciativë. Pra, në çdo variant, KQZ i ka të gjitha mundësitë për t’i zbuluar këto manipulime në procesin e administrimit të votave, prandaj besoj se të gjitha veprimet që po ndodhin tani janë në kuadër të përgjegjësive të KQZ-së për të zbardhur dhe qartësuar rezultatin e saktë për të gjithë kandidatët që i janë nënshtruar zgjedhjeve të dhjetorit”, theksoi Vullnet Bugaqku nga KDI.

Pas komunës së Prizrenit, ku deri më tani nga rinumërimi ka rezultuar përqindja më e madhe e manipulimeve me vota, pritet që drejtësia të merret edhe me komunat e tjera, ku rezultatet e rinumërimit tregojnë se ka pasur ndërhyrje në proces./RTK