Please enter at least 3 characters.

Zjarrfikësit e Vitisë përfitojnë donacion të rëndësishëm nga bashkatdhetarët

Njësia Profesionale e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Viti është pajisur me inventar dhe mjete të reja falë një donacioni të siguruar nga bashkatdhetarët Vilson dhe Robert Gega, të cilët edhe më herët kanë ndihmuar këtë njësi me pajisje të rëndësishme.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i shoqëruar nga drejtori për Shërbime Publike dhe Emergjencë, Basri Aliu, vizitoi zjarrfikësit për të parë nga afër donacionin e fundit, i cili përfshin pajisje të fitnesit, ormanë, veshje speciale për intervenime në raste urgjente, sistem ngrohjeje për hapësirat, kompresor për mbushjen e bombolave dhe pajisje të tjera ndihmëse, përcjell Telegrafi.



Haliti falënderoi dhuruesit për kontributin e tyre të vazhdueshëm, duke theksuar se falë këtyre ndihmave, njësia e zjarrfikësve ka pasur mundësi të kryejë më lehtë dhe me efikasitet intervenimet në situata emergjente.

“Bashkatdhetarët tanë, Vilson dhe Robert Gega, janë shembull i mbështetjes së sinqertë për vendlindjen. Ky nuk është donacioni i parë i tyre, por një vazhdimësi e ndihmës që ka bërë të mundur që zjarrfikësit vitias të jenë më të pajisur dhe më të gatshëm në raste të fatkeqësive”, tha Haliti, duke shprehur falënderim të veçantë edhe për shtetin gjerman, prej nga ka ardhur ky donacion.

Mirënjohje për kontributin e dhënë shprehën edhe drejtori Basri Aliu dhe komandanti i njësisë, Hetem Jakupi, të cilët vlerësuan se këto pajisje do të rrisin kapacitetet profesionale dhe gatishmërinë operacionale të zjarrfikësve të Vitisë. /Telegrafi/