Please enter at least 3 characters.

Zbulohen mallra të kontrabanduara në kufirin me Maqedoninë e Veriut

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra në zonën kufitare të Hanit të Elezit.

Operacioni është zhvilluar nga njësitë patrulluese të Drejtorisë Rajonale Kufitare - Lindje, përkatësisht nga Stacioni Policor për Mbikëqyrje Kufitare - Hani i Elezit.

Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 19:00 kur njësia policore ka vërejtur një automjet të tipit kombi-furgon pa targa regjistrimi, i cili kishte hyrë në territorin e Republikës së Kosovës nga Maqedonia e Veriut, duke përdorur një rrugë ilegale.

Pavarësisht përpjekjeve të policisë për ta ndaluar, automjeti nuk është ndalur dhe ka dalë nga rruga, duke përfunduar në një hendek.

Dy personat e dyshuar që ndodheshin në automjet e kanë braktisur mjetin dhe janë larguar në drejtim të kufirit me Maqedoninë e Veriut.

Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka gjetur një sasi të konsiderueshme mallrash që dyshohet se ishin kontrabanduar, përfshirë: këpucë për meshkuj dhe femra të markave të ndryshme, mjete pune, kasaforta dhe veshje të ndryshme.

“Me urdhër të prokurorit kompetent, automjeti dhe mallrat janë konfiskuar dhe janë dërguar në Stacionin Policor për Mbikëqyrje Kufitare – Hani i Elezit. Mallrat do t’i dorëzohen Doganës së Kosovës për procedurat e mëtejme ligjore”, thuhet në njoftim.

Në fund të njoftimit, Policia e Kosovës ka theksuar përkushtimin e saj në parandalimin dhe luftimin e veprimtarive ilegale me qëllim të ruajtjes së rendit sigurisë dhe integritetit kufitar të vendit, në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë e tjera ligjzbatuese. /Telegrafi/