Rusia vazhdon të deklarojë rrejshëm për çështjen e Kosovës dhe statusin e saj
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, ka propaganduar të mërkurën duke thënë se deklarata e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kalas, mbi respektimin e sovranitetit të Danimarkës dhe Grenlandës përbën "refuzim të Bashkimit Evropian për të njohur pavarësinë e Kosovës“.
Zaharova deklaroi se Rusia e konsideron deklaratën e Kalas mbi Grenlandën si një refuzim nga BE-ja për të njohur pavarësinë e Kosovës.
Ajo e shkroi këtë mesazh në platformën sociale Telegram.
"Deklaratën e konsiderojmë si refuzim të Bashkimit Evropian për të njohur pavarësinë e Kosovës.“
Megjithatë, Bashkimi Evropian asnjëherë nuk e ka vënë në diskutim sovranitetin e Kosovës në dokumentet zyrtare apo praktikën politike.
Përkundrazi, BE-ja trajton Kosovën si shtet dhe subjekt të veçantë ndërkombëtar, siç dëshmohet nga akte ligjore, procese politike dhe praktika institucionale.
Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (SSP) me Kosovën, BE-ja ka krijuar një marrëdhënie kontraktuale me Kosovën si subjekt të veçantë, gjë që nuk është bërë as me një territor autonom tjetër në Evropë.
Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në 2010 konfirmon se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare.
Parlamenti Evropian ka bërë thirrje disa herë që pesë shtete të mbetura anëtare të BE-së të njohin Kosovën.
Strategjia e BE-së trajton Kosovën si partner të barabartë në rrugën drejt integrimit evropian, ndërsa Këshilli i BE-së ka vendosur të mundësojë udhëtim pa viza për qytetarët e Kosovës, që është një dëshmi tjetër se BE-ja e sheh Kosovën si shtet.
Nga 27 shtete anëtare të BE-së, 22 njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
Pra, pretendimi i Maria Zaharovës se BE-ja "refuzon njohjen e Kosovës" është i pavërtetë.


