Vllaznia e Shkodrës e fiton derbin shqiptar ndaj Tiranës
Vllaznia e Shkodrës ka regjistruar një fitore të madhe në derbin shqiptar kundër Tiranës, në kuadër të xhiros së tetë në kampionat.
Vllaznia këtë herë ishte dukshëm më e mirë se Tirana, për të fituar me përmbysje nga 0-1 në 3-1.
Pas vetëm nëntë minutave lojë, Serge Tabeokou kaloi Tiranën në epërsi për ta zhbllokuar ndeshjen.
Megjithatë, Vllaznia e barazoi shpejtë përmes Andrey Yago që realizoi nga afërsia (15’).
Kurse, vetëm pesë minuta më vonë Bekim Balaj u përkujdes për ta përmbysur epërsinë me një gol të bukur me thembër (20’).
Fitoren e Vllaznisë pastaj e vulosi Lirim Kastrati, duke shënuar nga pika e bardhë pasi Valerianos shkaktoi 11-metërsh (77’).
Kësisoj, Vllaznia vazhdon t’i impresionojë të gjithë këtë edicion, për të qenë lider i vetëm me 19 pikë të fituara, plot pesë mbi AF Elbasanin derisa Tirana duket se nuk di për këndellje për t’u renditur në pozitën e parafundit me gjashtë sosh.
Ndërkohë, ditën e sotme edhe Dinamo e Tiranës ka fituar pikët e plota në uhdëtim te Vora (0-2), derisa Elbasani mundi Bylisin (2-1)./Telegrafi/


