“Vetëm shpirti i vendaliut mund ta deshifrojë” – Dardan Luta për logon e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”
Logoja që do ta përfaqësojë Prishtinën dhe Kosovën në një prej ngjarjeve më të mëdha sportive që do të zhvillohen ndonjëherë në vend tashmë ka një autor. Është dizajneri Dardan Luta ai që qëndron prapa identitetit vizual të “Prishtina 2030”, logos që është zgjedhur nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe që do të jetë logoja zyrtare e Lojërave Mesdhetare që do të mbahen në Kosovë në vitin 2030.
Në pamje të parë minimaliste, logoja e “Prishtina 2030” fsheh në brendësi një rrëfim shumë më të gjerë. Aty ndërthuren historia, arkeologjia, identiteti, tradita dhe sporti, duke e kthyer një simbol të thjeshtë grafik në një përpjekje për të treguar Prishtinën dhe Kosovën përmes një gjuhe moderne.
Forma e numrit 2030 lidhet me Hyjneshën në Fron, ndërsa numrat 2 dhe 3 krijojnë njëkohësisht shkronjat P dhe R, inicialet e Prishtinës. Në logo janë integruar edhe motive të qilimave tradicionalë shqiptarë dhe elemente tipografike të frymëzuara nga alfabeti latin-romak i zbuluar në Ulpianë.
Fotogaleri: Si erdhi deri te logoja e “Prishtina 2030”, tashmë zyrtare dhe e prezantuar në Taranto
▲
▲
▲
▲
▲
▲
▲
▲
▲
▲
▲
▲
▲
▲
Por, përtej formave, vijave dhe ngjyrave, kjo logo mbart edhe një ide më të thellë: lidhjen mes së kaluarës dhe së ardhmes. Një e kaluar e lashtë, jo gjithmonë e dokumentuar plotësisht, dhe një e ardhme që ndërtohet përmes sportit, lëvizjes dhe komunikimit me botën.
Në këtë intervistë për Telegrafin, Dardan Luta rrëfen për herë të parë në detaje procesin krijues pas logos së “Prishtina 2030”, nga skicat e para me dorë dhe kërkimi për elementet që do të përfaqësonin identitetin tonë, deri te momenti kur simboli i tij u përzgjodh për të qenë fytyra zyrtare e Lojërave Mesdhetare.
Ai shpjegon pse Hyjnesha në Fron, qilimat tradicionalë, Ulpiana, shkronjat P dhe R dhe lëvizja e sportistëve u bënë pjesë e së njëjtës ide, por edhe çfarë do të thotë për një dizajner që një vepër e tij të kalojë përtej kufijve dhe të përfaqësojë një shtet në një ngjarje ndërkombëtare.
Një bisedë për dizajnin, historinë, identitetin dhe atë që Kosova dëshiron t’i tregojë botës përmes një logoje.
Dardan, në pamje të parë logoja e “Prishtina 2030” duket shumë e thjeshtë dhe minimaliste, por brenda saj janë vendosur disa elemente të historisë dhe identitetit tonë. Si lindi ideja fillestare dhe cili ishte koncepti që deshe të përcillje përmes saj?
Të ardhmen e panjohur, e cila ndërtohet nga e kaluara po ashtu e panjohur. Një hallkë zinxhirë, ku secila periudhë kohore dhe njerëzit që jetojnë në të i japin kuptimin që ata dëshirojnë. Kemi teori të ndryshme që zbërthejnë kuptimin e gjetjeve arkeologjike në Vlashnje, figurat antropomorfe etj., por realisht nuk i kemi të faktuara se çfarë reprezentojnë ato, çfarë u kanë shërbyer paraardhësve tanë, ka vetëm hamendësime. Rikthimin e tyre e bëjmë përmes eventeve kulturore dhe ngjarjeve sportive dhe përdorimin e tyre për të kapërcyer kufij si mjet komunikimi. E kaluara është statike e ngurtë – si figura e Hyjneshës në Fron, ndërsa e ardhmja është dinamike si atletët që janë gjithmonë në lëvizje. Ideja ka qenë me i ndërlidhë këto dyja dhe gjithashtu edhe qytetin e Prishtinës.
Një prej detajeve më interesante është lidhja e formës së numrit 2030 me Hyjneshën në Fron, ndërsa numrat 2 dhe 3 krijojnë edhe shkronjat P dhe R. Si e ke zhvilluar këtë ide dhe sa kohë të është dashur të arrish te forma përfundimtare?
Skica! Shumë skica me dorë, është disiplina ime që kur nuk ju kam nda, për atë mendoj që funksionon gjithmonë se ka “dorën njerëzore”. Produktet softuerike i përdor në fund me i vektorizu si mjete që lehtësojnë punën. Është padyshim sfidë e madhe me i përfshi të gjitha elementet që ke dëshirë në një logo, por padyshim duhet të balancohet ajo çka sakrifikon me atë që ia vlen për t’u potencuar. Sakrifica në këtë rast ka qenë në mes të shtrirjes së figurës së Hyjneshës dhe vitit 2030 së bashku me inicialet PR, kjo e dyta për mu e ka mund të parën.
Ke përfshirë edhe motive të qilimave tradicionalë shqiptarë dhe tipografinë e frymëzuar nga alfabeti latin-romak i zbuluar në Ulpianë. Pse ishte e rëndësishme për ty që historia e Kosovës dhe trashëgimia shqiptare të ishin pjesë e një identiteti që në thelb është modern dhe sportiv?
Sukseset e sportistëve vendorë që po korrin suksese në kohët tona, gjithashtu reflektojnë që edhe në kohët e hershme sigurt jemi dalluar për atleticizmin dhe kjo është një traditë që është bartur në gjenezën tonë. Prandaj simbolet e lashta, gjetjet arkeologjike, ornamentet tradicionale dhe lëvizja si akt bashkohen për të krijuar një simbol bashkëkohor – një simbol që e përcjell trashëgiminë, ritmin dhe energjinë në një kontekst të ri mesdhetar.
Logoja ka marrë një reagim shumë pozitiv nga publiku, sidomos nëse e krahasojmë me disa identitete të mëparshme vizuale në Kosovë që kanë shkaktuar shumë debate. A të ka befasuar ky reagim dhe çfarë mendon se e bëri këtë logo të pranohet kaq lehtë nga njerëzit?
Në shumicën e rasteve, kur kërkesat specifike për logo vijnë, klienti duhet të ndahet i kënaqur sepse prezanton identitetin e tij. Impakti i saj shihet më vonë. Ndërsa me punu një logo në përmasa ku prezanton shtetin, aprovohet nga Komiteti Olimpik, kalon kufijtë dhe pranohet edhe nga shtetet tjera, si në këtë rast komisioni i Komitetit të Lojërave Mesdhetare dhe aprovohet njëzëri, është arritja më e madhe që një dizajner mundet me e pas në portfolio. Ndërsa përqafimi me pozitivitet nga publiku lokal është bekimi që ata japin, sepse në momentin e publikimit kjo logo tashmë është e të gjithëve.
Kur krijon një identitet për një ngjarje kaq të madhe, duhet të mendosh jo vetëm për estetikën, por edhe për mënyrën se si logoja do të funksionojë në fanella, stadiume, transport, dokumente, reklama dhe në formate shumë të ndryshme. Sa e vështirë ishte të krijoje një simbol që të funksionojë njësoj mirë në të gjitha këto raste?
Me atë përgatitje fillojmë edhe të krijojmë konceptin fillestar, e kjo logo ka me u duk perfekt në secilin material që shtypet.
Nëse do të duhej ta shpjegoje “Prishtina 2030” me vetëm një fjali, çfarë do të doje që njerëzit të shohin dhe të ndiejnë kur ta shohin këtë logo?
Elemente abstrakte që flasin me gjuhën e botës, por që vetëm shpirti i vendaliut mund t'i deshifrojë plotësisht.
/Telegrafi/


