Vetëm 7 ditë për të aplikuar në Skemën e Granteve për zonat rurale të Kosovës
Vetëm edhe një javë ka mbetur për të aplikuar në Skemën e Granteve të mbështetur nga GIZ Kosova, në partneritet me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës. Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është 21 tetor 2025.
Skema synon të mbështesë iniciativat e reja dhe zgjerimin e aktiviteteve ekzistuese në zonat rurale të vendit, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe krijimin e mundësive për komunitetet lokale, përcjell Telegrafi.
Aplikuesit kanë dy mundësi për të dorëzuar kërkesat:
- Online: përmes platformës rural-development-kosovo.grantplatform.com
- Fizikisht: duke shkarkuar pakon e aplikimit nga faqja e Ministrisë, plotësuar elektronikisht, printuar dhe dorëzuar në një zarf të mbyllur në Drejtorinë Komunale për Bujqësi. Më shumë informacion: mbpzhr.rks-gov.net/lot1-lot2
Skema e Granteve zbatohet nga GIZ Kosova, në emër të Qeverisë Gjermane, në bashkëpunim me D&D Business Support Center, dhe ka për qëllim të fuqizojë zhvillimin ekonomik dhe të përmirësojë mundësitë për sipërmarrësit ruralë në Kosovë. /Telegrafi/


