U përfol se mund të jetë opinioniste e Big Brother VIP Kosova 5, reagon për herë të parë Adelina Ismaili
Teksa kanë nisur përgatitjet për edicionin e ri të “Big Brother VIP Kosova”, tashmë kanë filluar edhe spekulimet rreth emrave që mund t’i bashkohen kastit të ri të formatit.
Gjatë një lidhjeje direkte në emisionin e mëngjesit në T7, gazetari Elton Tozaj ka folur për sezonin e ardhshëm të BBVK-së, duke komentuar edhe mundësinë e ndryshimeve në panelin e opinionistëve.
Pas konfirmimit se Olta Gixhari nuk do të jetë më në rolin e opinionistes këtë sezon, Tozaj përmendi disa emra që, sipas tij, mund të jenë potencialë për ta zënë këtë pozitë.
Në mesin e emrave të përmendur ishte edhe këngëtarja e njohur, Adelina Ismaili, krahas stilistit Valdrin Sahiti dhe Elijona Binakajt.
Tozaj u shpreh se përgatitjet për formatin tashmë kanë nisur, ndërsa tha se do të dëshironte t’i shihte të tre emrat në panel, ose të paktën një ish-banor të “Big Brother VIP Kosova”, i cili do t’i njihte nga afër dinamikat e lojës.
Spekulimet morën menjëherë vëmendje në rrjetet sociale, por Adelina Ismaili nuk ka vonuar të reagojë dhe ka vendosur t’u japë fund aludimeve rreth përfshirjes së saj në format.
Këngëtarja ka publikuar një sekuencë nga emisioni ku përmendej emri i saj, duke e shoqëruar me një deklaratë të shkurtër dhe të prerë.
“Nuk do të jem as banore, as opinioniste në BBVK”, ka shkruar Adelina.
Me këtë reagim, ajo ka përgënjeshtruar kategorikisht mundësinë që të jetë pjesë e edicionit të ri të “Big Brother VIP Kosova”, qoftë si banore apo si opinioniste.
Mbetet të shihet se cilët do të jenë emrat që do ta përbëjnë panelin dhe kastin e ri të BBVK-së, teksa publiku tashmë është bërë kurioz për ndryshimet që do të sjellë sezoni i ardhshëm. /Telegrafi/


