U kapën me rreth 26 kg marihuanë - ndalohen për 48 orë tre të arrestuarit
Pas aksionit antidrogë ku u sekuestruan rreth 26 kilogramë marihuanë dhe u arrestuan tre persona, detaje shtesë ka dhënë edhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit janë arrestuar më 1 qershor 2026, pasi gjatë kontrollit të një veture është gjetur dhe sekuestruar substanca narkotike e llojit marihuanë, me peshë rreth 26 kilogramë.
Me vendim të prokurorit, tre personat janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të arrestuarve, ndërsa substanca narkotike është sekuestruar për procedura të mëtejme hetimore.
Ndryshe policia ka njoftuar se dy vetura me targa serbe janë identifikuar në Pikën Kufitare në PKK Vërmicë, ku më pas njëra është ndaluar në Zveçan dhe tjetra në Jarinjë.
Të arrestuarit janë një shtetas i Serbisë dhe dy shtetas të Malit të Zi. /Telegrafi/


