Sukseset në Evropë japin frytet e veta - Drita në vazon e ekipeve favorite në dy rrethet e para të Ligës së Kampionëve
Sukseset e Dritës në arenën evropiane kanë filluar të japin frytet e veta. Kampioni i Kosovës ka bërë ngritje të madhe në ranglistën e UEFA-s për klube, falë paraqitjeve të mira në sezonet e fundit në garat evropiane.
Kampionët e rinj të Kosovës janë skuadra shqiptare më së larti në ranglistën e UEFA-s dhe me më së shumti pikë, pasi zënë vendin e 133-të me 13,625 pikë të grumbulluara.
Paraqitjet pozitive në Ligën e Konferencës ku luajti gjashtë ndeshje në fazën e ligës dhe pastaj dy të tjera në Play-Off dhe grumbullimi i pikëve të vlefshme kanë bërë që Drita tashmë të jetë në vazon e ekipeve favorite për dy rrethet e para kualifikuese të Ligës së Kampionëve për edicionin 2025/26.
Në rrethin e parë kualifikues, Drita bën pjesë në mesin e skuadrave favorite së bashku me ekipe si Celje, Shamrock Rovers, KuPS, Lincoln Red Imps, Borac Banja Luka dhe Kairat.
Kjo pozitë i mundëson klubit gjilanas të shmangë kundërshtarë më të fortë që në fazën e hershme të garës.
Po ashtu, në rast të kalimit të raundit të parë, Drita do të jetë sërish në vazon e ekipeve favorite edhe në rrethin e dytë kualifikues, ku potencialisht mund të shmangë skuadra të njohura evropiane si Crvena Zvezda, Dinamo Zagreb dhe Slovan Bratislava.
Kjo është hera e parë që një skuadër kosovare është favorite në dy raundet e para të Ligës së Kampionëve, pasi Drita është edhe skuadra e vetme kosovare që ka arritur të kaloj një raund të Ligës së Kampionëve.
Ky është një tjetër tregues i rritjes së klubit bardhekaltër në skenën ndërkombëtare dhe një shpërblim i merituar për sukseset që Drita ka arritur vitet e fundit në Evropë.
Në rast se kalon dy rrethet e Ligës së Kampionëve, atëherë Drita do t'i siguronte automatikisht grupet e Ligës së Konferencës dhe do të kishte mundësi të luante në Play-Off të Ligës së Evropës, ky qëllimi i gjilanasve është të futën në këtë të fundit. /Telegrafi/


