Skenda nacionale dhe Tadiq katastrofale!
Autogoli që nuk të përjashton nga loja:
Këshilli i Sigurimit i OKB-së, për mendimin tim pa asnjë arsye mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme, me kërkesë të presidentit të Serbisë për të diskutuar për shpërthimin në pjesën veriore të Mitrovicës me ç’rast humbi jetën dr. E. Xhekoviq, boshnjak dhe u lënduan 10 qytetarë të Kosovës të nacionalitetit serbë! Menjëherë pas këtij rasti u sulmua edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, gjithashtu i nacionalitetit serb dhe u plagosë në këmbë!
As në rastin e parë e as në të dytin nuk u zbuluan fajtorët dhe rastet janë duke u hetuar. Se si do të përfundojnë hetimet nuk kam asnjë dilemë sepse as që mund të ketë hetime serioze në një mjedis ku nuk funksionon ligji dhe ku kriminalizimi i çdo segmenti të shoqërisë është thuaja gjithëpërfshirës dhe i legalizuar!
Këshilli i Sigurimit i OKB-së, si organ rekomandues dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë që kanë fuqi vendimmarrëse kryesisht merren me pasojat dhe jo me shkaktarët ngase nuk janë të interesuar ta zgjidhin problemin! Kështu kanë vepruar edhe me rastin e Mitrovicës! Nuk janë marrë me strukturat paralele kriminale që po ua nxijnë jetën të gjithë qytetarëve të Mitrovicës, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, fetare, gjinore, moshore etj. por po merren me një akt kryekëput të natyrës kriminale duke i dhënë dimension politik dhe etnik!
Madje krerët ndërkombëtarë flirtojnë me këto struktura paralele duke e imunizuar aktivitetin e tyre kriminal ngase nuk e ndëshkojnë atë! Në shumë raste ata i kanë bashkëbiseduesit kryesorë! Dhe haptasi e thonë këtë! Prandaj, Mitrovica nuk është problem që e kanë shkaktuar vendorët e as që mund ta zgjidhin vendorët!
Vendorëve vetëm u dërgohen faturat për dështimet e ndërkombëtarëve dhe u caktohen detyra të shtëpisë të cilat, sa do që bëjnë përpjekje t’i kryejnë me sukses , gjithmonë ngelin në provim! E si mos të ngelesh në provim nëse hynë në bisedime “ teknike” me një shtet që nuk të pranon dhe përpiqet të të shkatërrojë me të gjitha mjetet e lejuara dhe të palejuara?! Apo ta zbatosh një dokument, pa gjasë të zbatohet siç është Strategjia për Veriun e cila është përpiluar që të mos zbatohet!
I vetmi përfitues real për moszbatimin e kësaj Strategjie do të jetë Ylber Hysa sepse do të paguhet mirë për një mission impossible. Dhe aspak nuk do t’i bie dhe vjen keq ngase nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi! Kjo mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së megjithatë nxori në pah disa të vërteta që më parë nuk pranoheshin si të vërteta!
E para, se Serbia qëndron pas të gjitha incidenteve duke i provokuar ato në çaste kur vlerëson se do të ketë përfitime politike! Kësaj radhe u nda , siç thotë populli; “ me miza b…..”. Po të mos ndodhte plagosja e deputetit serb, Predrag Miletiq, në lagjen e banuar me serbë dhe pa asnjë dyshim nga vet serbët, Serbia do të spekulonte me rastin e parë! Mirëpo, mjaftoi vetëm një plumb, jo “plumbi i pajës – nderit” por plumbi i biznesit për ta çarmatosur presidentin Tadiq dhe hienën e tij, Vuk Jeremiq!
Përpjekja e Serbisë që çdo incidenti që ndodhë në atë pjesë të Kosovës t’i jepen ngjyrime politike tash iu kthye si boomerang! Nuk dua të spekuloj se për çfarë arsye u plagos deputeti Miletiq por me përgjegjësi e them se pas luftës, përjashtuar disa raste shumica e personave publikë janë vrarë për shkak të biznesit dhe faqes së zezë! Nuk ka pasur pushkë të hajrit në këto raste! Mirëpo, fitorja më e madhe ishte se shqiptarët, nga fajtorët kujdestarë të parapaguar për përgjegjësinë e të tjerëve, u shndërruan në spektatorë! Pastaj, fitore edhe më e madhe ishte se më në fund, Skender Hyseni, ministër për Punë të Jashtme i Republikës së Kosovës e nokautoi me fakte presidentin e Serbisë, Boris Tadiq i cili para kohe e lëshoi ringun – fushëbetejën që në terminologjinë e arteve luftarake në rastin konkret të boksit njihet si nokaut teknik!
President Tadiq , në vend të dorëzimit duke e hedhur peshqirin e bardhë në karrigen e tij e hodhi hienën e tij, Vuk Jeremiq, ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë i cili një kohë të gjatë ma pati keqtrajtuar Skendën! Edhe një detaj më bëri përshtypje! Më këmbëngulës kundër pavarësisë së Kosovës ishte përfaqësuesi i Brazilit se Tadiqi, Qurkini dhe Jeremiqi , së bashku! Prandaj këtyre vetëm Mulleri, Ozili, Klose, Podolski dhe gjermanët e tjerë, të hollë dhe të trashë ua japin atë që e meritojnë! Sa më shumë që Tadiqi fliste kundër pavarësisë së Kosovës kisha përshtypje se bënte luftë me veten e tij për ta pranuar këtë pavarësi!
A ka parti opozitare në Kosovë:
Sipas rregullave të demokracisë, në një shtet demokratik ka pozitë dhe opozitë! Nëse e para bën gabime, e dyte, opozita pra e vëzhgon atë dhe duke i identifikuar gabimet e saj e detyron t’i përmirësojë ato apo e flake nga pushteti! Ky është qëllimi i parë, i dytë dhe i vetëm i opozitës! Qëllim dhe e drejtë legjitime, pa asnjë dyshim! Po te ne kjo nuk mund të ndodhë! Nuk kemi pozitë por as opozitë! Janë krejt të lodhtë! Pozitë e vetme janë ndërkombëtarët, të tjerët i luajnë do role si në teatrin e kukullave!
Kohëve të fundit janë disa lëvizje të deputetëve, disa kalojnë në subjekte të tjera (a)politike, disa paralajmërojnë formimin e partive të reja politike sepse, duhet ta pranojmë se kemi pak parti nëse i referohemi thënies se dy shqiptarë janë dy parti! Disa bëhen të varur, më shumë të varur dhe shumë të varur, si përdoruesit e narkotikëve. Një subjekt politik, në ikje e sipër, LDD po mundohet ta luajë rolin e terminatorit në skenën (para)politike të Kosovës duke rrënuar majtas dhe djathtas!
Siç thotë një këngë repertoarit të plehut folklorik: “ pak pa dekë, shpirti i ka dalë”. Logjikisht do të duhej të përfundohet në krevatin e burrit të parë në përpjekje për t’i rikthyer kënaqësitë e mëparshme. Nëse jo, atëherë nuk do t’i mbetet asgjë tjetër përveç se të ofrojë shërbime të lira, shumë të lira për klientët e pamartuar në skenën politike të Kosovës me kusht nëse do të ketë të tillë! Aftësia e joshjes dhe e tundimit te LDD-ja, për subjektet tjera ka shkuar në të kuqën, është e djegur! Prandaj, duhet të shpëtohet, çka mund të shpëtohet!
AAK e ka zbutur paksa retorikën pasi iu ngrehën pakëz veshët. Po t’i kishte mendtë me kohë, sot të gjithë do t’i silleshin dhe do ta lusnin të jenë me të nëse nuk janë në të! Për kah atraktiviteti do të ishte varianti politik i Anxhelina Xholit! Kështu, pas deklarimit për ngjarjet në Mitrovicë ka rënë nën nivelin e Razës së Brahimit, e lodhur, e shkarë nga mëndja si të ishte leproze e Nënë Terezës!
Dikur nëndega më e fuqishme e PDK-së, AKR, pasi e shqelmuan mirë e mirë b*thëve të gjithë tash ka hyrë në luftë me vet Hashim Thaçin duke vlerësuar se pozicioni i kryeministrit të Kosovës është dobësuar shumë! Vlerësim totalisht i gabuar politik i Behgjet Pacollit apo Mimozës! Po kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë thuaja se ata janë që e vendosin për këtë! Po kërkon aleatë atje ku realisht nuk do të duhej, te ndërkombëtarët! Ndërkombëtarët aktualisht një thua të Fatmir Sejdiut nuk e japin për Behgjetin, të gjithë Pacollët , plus Kazakistanin!
Vardisja më e re që po e bëjnë është ajo drejtuar Lëvizjes “Vetëvendosje” duke e llogaritur si të re në politikën kosovare dhe pre, lehtë e pushtueshme! Ku ta dish, mund të dali edhe ashtu!
PDK-së i ka hyrë pakëz uji, janë lagur por jo shumë, deri te thembrat. Nëse e humbin grazhdin atëherë do të jenë në ujë, dhe jo vetëm në ujë, deri në fyt! Ta shohim!
LDK – është konkubinë e partisë në pushtet. Çelës i asaj nëse LDK vërtetë do të bëhet parti politike e respektueshme është kryetari i Prishtinës , Isa Mustafa. Kallauzi i LDK-së, Fatmir Sejdiu, president i vendit nuk do dhe nuk mund ta luaj rolin e çelësit të LDK-së sepse dëshiron të mbetet kallauz që do t’i hapë të gjitha dyert për veten e tij dhe vartësit e tij!
Shkova në pushim, luftojeni korrupsionin:
Në kampionatin botëror të futbollit në Afrikën e Jugut, oktapodi ishte ai që saktësisht e qëllonte se cili ekip do të fitonte apo do të eliminohej! Edhe unë jam një farë oktapodi lokal sepse kam paraparë se do të eliminohen Italia, Franca, Anglia, Brazili dhe Argjentina. Gjithashtu kam paraparë se korrupsionin në Kosovë nuk do ta luftojnë asnjëherë qytetari i pensionuar i Francës i cili qe dy vite gjendet në pushime në Kosovë si udhëheqës i EULEX-it me aranzhmanin ultra all inclusive, Ive de kermabon, Piter Fejt dhe ambasadori Kristofer Dell!
Këta, në këtë kohë me vapë vetëm mund ta ujisin korrupsionin, të rritet më shumë dhe të mos thahet! Dhe po e bëjnë këtë! Pra, adresa e vetme dhe shpresa e fundit për luftë kundër korrupsionit ka mbetur qeveria e Kosovës!
Çka thashë! Vërtetë çka thashë!!!
Arsyeja tjetër pse po shkoj në pushim është se pas dekorimit të Tahir Zemajt nga presidenti i Kosovës si Hero i Kosovës dua të shkoj në një vend ku nuk ka heronj të Kosovës! Ajo është Shqipëria, është Saranda! O Zot! Adem Jashari dhe Tahir Zemaj, Heronj të Kosovës, a bën kjo! O Zot, ma ruaj mendjen e shëndoshë dhe pastërtinë e gjuhës para muajit të Rahmetit, Ramazanit!
Edhe në shpalljen e heronjve të Kosovës po bëhen marrëveshje dhe kompromise të pista politike. Prandaj po iku në Sarandë. Ta takoj Bacën Adem i cili është hero i pashpallur por që lehtë mund të shpallet edhe ky hero, pasi të vdes! Shoku i Adem Jasharit, Adem Demaçi të bëhet shok i Tahir Zemajt , si Hero i Kosovës, a mund ta imagjinoni këtë! Prandaj, do ta lusë që Baca Adem të mos vdes, së paku jo para Fatmir Sejdiut!
Dhe krejt në fund do të mundohem ta bind Bacën Adem të bëhemi anëtarë të Partisë së Pensionistëve të Kosovës! Edhe ashtu nuk jemi duke bërë asgjë dhe sipas mandatit në mënyrë automatike jemi të anëtarësuar! E gjithë Kosova!
(Autori shkrimit është Drejtor Ekzekutiv i KMDLNJ-së. Pikëpamjet në këtë shkrim janë personale)


