Please enter at least 3 characters.

Shpëtohet një qytetar në Grykën e Rugovës pas rrëshqitjes në terren të rrezikshëm

Një qytetar është shpëtuar nga një situatë e rrezikshme në Grykën e Rugovës, pasi kishte rrëshqitur gjatë ecjes në një shteg malor dhe kishte mbetur i bllokuar në një zonë të ekspozuar.

Sipas njoftimit nga Shërbimi i Kërkim‑Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK), ngjarja ka ndodhur më 8 mars 2026 në “Shtegun e Mushkave” në Pejë.

Gjatë ecjes në këtë shteg, qytetari ka rrëshqitur për disa metra në një terren të pjerrët, duke pësuar lëndime trupore dhe duke mbetur i bllokuar në një pjesë me rrezik të lartë për rënie në humnerë.

Për shkak të konfiguracionit të vështirë të terrenit dhe pozitës së rrezikshme ku ndodhej, ai ka kërkuar ndihmë për evakuim.

Pas pranimit të thirrjes, një ekip i ShKShMK nga stacioni në Pejë është nisur menjëherë drejt vendngjarjes.

Pas mbërritjes, ekipi ka bërë vlerësimin e situatës, i ka ofruar ndihmën e parë qytetarit dhe më pas ka realizuar evakuimin e tij në mënyrë të sigurt.

Sipas njoftimit, operacioni i kërkim-shpëtimit ka përfunduar me sukses, ndërsa qytetarit i është uruar shërim i shpejtë./Telegrafi/