Shkëmbimi i territoreve nuk ka kuptim për ne
Ideja e amerikanit z. Rohrabaker në një intervistë dhënë zërit të Amerikës u fol e u përfol, u analizua nga kënde e aspekte të ndryshme ditëve të fundit,dikush doli kundër, dikush e përkrahu këtë ide.
Ndër ata që përkrahën këtë ide ishte edhe kreu i Lëvizjes për Bashkim z.Avni Klinaku. Në fakt, anëtarët e këtij subjekti politik, edhe në platformën e tyre e kanë idenë e z.Rohrabaker, andaj nuk është për tu çuditur pse këta udhëheqësit e LB-së dolën në përkrahje të idesë së tij.
Por shtrohet pyetja: Me përkrahjen e kësaj ideje, po bashkohet, apo po ndahet populli dhe territori ynë? Pastaj pyetjet tjera: Ideja në fjalë, është ide shkëmbimi territoresh, apo ide ndarjeje? Çfarë mund të përfitojë populli ynë prej një subjekti politik që përkrah një ide të tillë që ka një platformë të tillë, nëse ai subjekt ose ajo lëvizje politike quhet Lëvizje për Bashkim?
Praktikisht, dihet se shkëmbimi ka kuptim kur dikush i jep tjetrit diçka të tijën dhe ia merr tjetrit diçka që nuk është e tij. Në rastin konkret, ideja ”Shkëmbim Territoresh” nuk qëndron, sepse është një ide, përkrahësit e së cilës paraprakisht pranojnë që pjesa veriore e Kosovës administrative nuk është tokë shqiptare, domethënë pranojnë që këtë territor që i takon Kosovës në të gjitha aspektet, ta hedhin në treg sikur të mos ishte i Kosovës, dhe të marrin një territor që gjithashtu është tokë shqiptare, të cilin serbia e ka mbajtur dhe po e mban me dhunë. Kjo është njësoj sikur pasurinë tënde ta shkëmbesh me pasurinë tënde! Kjo nuk interpretohet ndryshe!
Kjo gjë nuk ka ndodhur asnjëherë dhe as që duhet të ndodhë, sepse deri më tani nuk kemi parë e dëgjuar që dikush e ka ndërruar pronën e pasurinë e tij, me pronën e pasurinë e tij.
Kjo gjë, me dhunë e forcë mbase edhe mund të bëhet, vetëm në ato raste kur siç thotë populli ”I forti të rrah dhe nuk të le të qash”, por me vullnet e me marrëveshje të ndershme siç theksohet në idenë e hedhur, kurrsesi jo.
Të drejtosh një subjekt politik, apo lëvizje politike që emrin e ka Lëvizja për Bashkim, dhe të përkrahësh një ide që shkon në funksion të ndarjes e copëtimit të tokave shqiptare, është njësoj sikur të luftosh kundër vetes tënde, kundër tokave të tua, kundër popullit tënd. Është dëm i madh që së pari përkrahet kjo ide, e të mos flasim për realizimin e saj, kur dihet se çfarë sjell ajo. Udhëheqësit e LB-së po deklarohen kundër emrit të tyre dhe platforma që ata kanë hartuar është në kundërshtim me emrin “ Lëvizja për Bashkim”.
Me përkrahjen dhe realizimin e kësaj ideje, pjesa veriore e Kosovës,duke filluar prej Urës së vendosur mbi lumin Ibër, e deri tek pikat kufitare administrative të Kosovës me Serbinë, do t`i bashkëngjitet Serbisë, e cila me institucionet e saja paralele edhe tani e ka pothuajse në duart e saja. Kjo përkrahje nuk është shërbim i mirë që po i bëhet popullit dhe tokave tona. Përkrahja e kësaj ideje nuk është zotësi, përkundrazi është një ligësi e llojit të vet. Zotësi është sot nëse punohet në moslejimin e ndarjes së Kosovës, nëse punohet në shuarjen e institucioneve paralele serbe, të cilat përmes procesit të decentralizimit po synojnë që edhe këtë Kosovë të Ahtisarit ta ndajnë e t`ia ngjitin Serbisë dhe nëse bëhet përpjekje intensive për bashkimin e pjesës së Kosovës Lindore me Kosovën, përkatësisht Shqipërinë.
Ne si popull dhe subjektet politike të të gjitha tokave shqiptare duhet të bëjmë përpjekje të përbashkëta dhe nuk duhet të lejojmë ndarjen e mëtutjeshme të tokave tona, nëse duam të synojmë drejt zgjidhjes së vetme të mundshme e ajo është; zgjidhja e çështjes kombëtare, që akoma është e pazgjidhur.


