Please enter at least 3 characters.

Sfidat gjeopolitike të vitit 2015: Lindja e Mesme dhe Ukraina!

2016/01/ja-cilat-jan-euml-sfidat-gjeopolitike-t-euml-vitit-2015_hd.jpg

Tunizia dhe Egjipti

Tunizia, vendi nga i cili shpërthyen të gjitha pranverat arabe, arriti që të përfundojë revolucionin e saj institucional, përmes miratimit të një kushtetute të re laike, ku u dëshmua ndërkaq edhe një pjekuri mes votuesve islamikë dhe atyre që nuk janë të tillë. Për pasojë, sot vendi ka një Parlament me një ekulibër të sanksionuar nga dy partitë kryesore, laikët e “Nidaa Tounes” dhe islamikët e “Ennahda”.

Aftësia e këtyre forcave politike për të dialoguar, dhe konsensusi politik ishte i dukshëm me zgjedhjen e Beji Caid Essebsit, një figurë e njohur e viteve ‘90, laik dhe me një reputacion të mirë edhe tek elitat e diplomacisë evropiane.

Ndërkohë, Egjipti reagoi me ashpërsi ndaj protestave në sheshe. Myslimanët qenë protagonistë të një sezoni të gjatë protestash, që kulmoi me fitoren e “Vëllazërisë Myslimane” në zgjedhjet e vitit 2012. Por, ky sukses u shpërdorua, për shkak të menaxhimit të keq të pushtetit nga ana e presidentit Morsi, i zgjedhur nga radhët e “Vëllazërisë Myslimane”. Shpresat ishin të mëdha tek ai, por dëshmua shpejt si tejet i papërshtatshëm dhe i brishtë për detyrën që mori përsipër.

Për këtë arsye, pushteti i ushtarakëve u shndërrua në barrierën e vetme ndaj destabilitetit. Grushti i shtetit në Egjipt në korrik të vitit 2013, i realizuar gati sipas një manuali, çoi në Presidencën e vendit Abdel Fattah Al Sisin, ish-gjeneral dhe aktualisht njeriun më të fortë në vend, i vetmi në gjendje për të garantuar rendin publik dhe stabilitet, sikurse dhe e demonstroi në fakt përgjatë gjithë vitit 2014.

Shteti Islamik në Siri dhe Irak

Moderacionit të popullatave myslimane që zgjodhën të emancipohen dhe distancohen nga radikalizmi fetar, iu kundërvu në Lindjen e Mesme një dukuri edhe më e rrezikshme, e përfaqësuar nga milicitë sunite të Shtetit Islamik të Sirisë dhe Irakut.

Organizata xhiihadiste, e lindur nga vuajtjet e myslimanëve sunitë nën udhëheqjen e hekurt irakiane shiite (duke zbatuar politikën e përjashtimit nga pushteti), solli në skenë krahun e armatosur sunit që rrëmbeu armët dhe filloi luftën për pushtimin e Bagdadit, duke formuar celula të armatosura thuajse në gjithë veriun dhe lindjen e Irakut.

Prej qershorit të këtij viti e deri tani, ISIS ka krijuar një boshllëk politik në Irak dhe është bërë pjesë e luftës civile në Siri, jo vetëm duke arritur që të imponohet nga ana ushtarake, në një pjesë të madhe të Mesopotamisë, por duke rikrijuar edhe një formë të organizimit shtetëror që ka origjinën nga shoqëria e lashtë arabe myslimane, Kalifati. Kjo rrezikon të lë në hije sukseset e borgjezive arabe, që arritën të emancipohen si pasojë e distancimit nga radikalizimi fetar, në një kohë që ISIS është dëshmuar i aftë të tërheq rreth vetes brezin e ri të myslimanëve që vijnë nga a gjithë bota - të gatshëm që të sakrifikojnë edhe jetën e tyre për Kalifin.

Shumëçka do të varet nga fati, që ende mbetet pezull, i luftës civile në Siri (që tashmë ka kaluar vitin e katërt), ku përveç veprimtarisë së trupave të ISIS-it, ndërthuren interesat e Moskës dhe Washingtonit.

Izraeli dhe Palestina

Ndërkohë sa për Izraelin dhe Palestinën, nuk ka shumë për të thënë as për vitin 2015, për sa kohë analizat politike të së tashmes zëvendësojnë shpresa dhe propozime të mira, por kurrë fakte të reja për krijimin e ardhshëm të dy shteteve.

Ukraina, Moska dhe Washingtoni

Kriza në Ukrainë gjatë vitit 2014, është në fakt pasqyrë e raporteve tejet të këqija, ku janë katandisur administratat aktuale në Washington dhe Moskë.

Mpakja e dialogut mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, ka rihapur arkivin e marrëdhënieve historikisht problematike mes dy vendeve, duke të kujtuar epokën kur Muri i Berlinit ishte ende në këmbë. Në këto marrëdhënieve të akullta, është futur në mes edhe Kuba, e cila me fillimin e vitit të ri do të ketë marrëdhënieve normale diplomatike me Washingtonin dhe kjo në kulmin e ftohjes mes Vladimir Putinit dhe Barak Obamës. Kjo lëvizje i jep një pikë avantazh këtij të fundit, ndonëse në tërësi gjatë vitit 2014 presidenti rus është treguar lojtari më aktiv.

Putin me të drejtë mund të përcaktohet si njeriu i vitit që po lëmë pas, pasi është dëshmuar se ka qenë i aftë për gjithçka: të afrojë Sirinë e Assadit me Perëndimin, duke ia dorëzuar këtij të fundit arsenalin e armëve kimike; zbuti Iranin duke e bindur t’i hapë rrugë bisedimeve për programin e tij bërthamor dhe arritjen e një marrëveshje me fuqitë botërore; aneksoi prej Ukrainës gadishullin e Krimesë dhe mbrojti pjesën lindore nga qeveria legjitime e Kievit.

Por, tremujori i fundit ka nxjerrë në pah edhe shumë dobësi të Kremlinit: ekonomia energjetike dhe për pasojë ajo kombëtare, nuk po ecin me hapin e shpresuar. Rusia po kërkon partnerë strategjikë alternativë ndaj tregjeve të zakonshme. Ndërsa, sanksionet ekonomike të vendosura nga Perëndimi, në përgjigje të trazirave në lindje të Ukrainës dhe rënia e çmimit të naftës, kanë rënduar më tej gjendjen, duke zhvlerësuar në mënyrë dramatike rublën dhe futur në krizë të thellë ekonominë kombëtare, një ngërç nga i cili do të duhen disa vjet për të dalë. Nga ky këndvështrim mund të arrihet në përfundimin se Putini në vitin 2015 mund të zgjedh një sjellje më të moderuar dhe një profil të ulët në arenën ndërkombëtare.

Perspektiva për vitin 2015

Në tërësi viti 2014 ka qenë një vit kalimtar, drejt zgjidhjes së shumë çështjeve të koklavitura. Shteti Islamik i Sirisë dhe Irakut mund të mundet përfundimisht përgjatë vitit të ardhshëm, ndërsa në qershor mund të ketë shanse reale për një marrëveshje mbi programin bërthamor të Iranit. Më e vështirë mbetet të parashikosh përfundimin e luftës civile në Siri, që në çdo rast qëndron në rendin e ditës, pasi të zgjidhet dilema e qëndrimit ose jo në pushtet të Bashar al-Assadit (çështje për të cilën do të duhet miratimi i Moskës).

Shtëpia e Bardhë aktualisht po punon në prapaskenë për të forcuar oponencën e brendshme politike në Rusi, gjë që besohet se do të dobësojë më tej pozitat aktuale të presidentit Putin. Tentavita e radhës për destabilizim synon të rris pushtetin e NATO-s në Evropë, por që nga ana tjetër mund të minojë përpjekjet për një zgjidhje paqësore të konfliktit në Ukrainë. Ndërkohë, nëse Vladimir Putin do të dëshmohet i kujdesshëm, do të arrijë që të çaktivizojë “bombën” e vendosur nën kolltukun e tij dhe me gjasë të pengojë që SHBA-të të vazhdojnë me strategjinë e saj që i ngjan aktualisht një serie të re të Luftës së Ftohtë, duke njohur nevojën për më tepër dialog mes palëve. /panorama.it/bota.al/