Please enter at least 3 characters.

Serbia nga pushtuese në faktor paqeje

Duket se zgjedhjet e ardhshme lokale po hapin një faqe të re në politikën dhe raportet jo vetëm shqiptaro-serbe, por edhe ndërmjet serbëve dhe bashkësisë ndërkombëtare, sigurisht edhe ndërmjet serbëve dhe konceptit të tyre për realitetin e ri të krijuar në Kosovë.

Në vazhdën e kësaj, me gjithë dilemat e mëdha që kanë serbët e Kosovës për pjesëmarrjen apo bojkotimin e zgjedhjeve, ky proces zgjedhor sikur ka ngjallur më shumë interesim, por edhe orekse sepse institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare tanimë i joshin dhe i ftojnë ata, duke iu garantuar jetësimin praktik të procesit të decentralizimit.

Në fakt vendimi për to (zgjedhjet) kësaj here paraqet një çështje më të ndjeshme, më delikate sepse zgjedhjet lokale përbëjnë interes i cili kalon fuqinë vendimmarrëse vetëm të pakicës serbe, në favor të të cilës është i dizajnuar dhe i atribuohet procesi i decentralizmit. Pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme të Kosovës tanimë paraqitet si vizion real dhe joshë politikanë të cilët aktualisht udhëheqin subjekte dhe organizata të ndryshme. Pra, kjo alternativë po joshë gjithnjë e më shumë njerëz dhe grupime politike me ndikim në opinionin serb edhe në Serbi.

Alternativa e pjesëmarrjes në procesin politik që po zhvillohet në Kosovë, duke qenë rekomandim edhe i bashkësisë ndërkombëtare, bëhet e pranueshme, posaçërisht për subjektet që kanë dhe ruajnë lidhje të ndryshme me faktorët ndërkombëtarë, më ata që njohin peshën dhe ndikimin e faktorëve të rëndësishëm të implikuar në çështjet e pazgjidhura në rajonin e trazuar të Ballkanit.

Në funksion të shtimit të interesimit është, edhe realiteti i sotëm, i cili demanton qëndrimin refuzues serb si të vetmin të drejtë. Kryeneçësia që i karakterizoi iu solli telashe serbëve në raportet me të tjerët dhe ruajti në vazhdimësi pozitën e vështirë të pakicës serbe. Qëndrimi i egër refuzues dhe ideja e bojkotit të çdo gjëje që ofrojnë institucionet e Kosovës dhe misionet ndërkombëtare, iu dha kuptim getove te krijuara. Ideatorët e projekteve për getoizimin e serbëve dhe imazheve të jetesës skëterrë të shumicës së popullsisë në to, arritën një pjesë të qëllimit të kreatorëve të kësaj politike.

Përmes kësaj loje, Serbia do të ndërhyn në procesin politik që zhvillohej për Kosovën dhe do të sigurojë, ndër të tjera, edhe marrëveshje zbatimi i të cilave prekë ndjeshëm interesin dhe të ardhmen e Kosovës. Getot dhe insisitimi për ta mbajtur pozitën e pakicës serbe në këtë gjendje, Serbia po e përdor si gogol për të sfiduar vendosjen në binarin normal të jetës në Kosovë dhe për ta sfiduar suksesin e misioneve ndërkombëtare të ndërtuara për të përmbushur një mision paqeje.

Ajo përpara faktorit ndërkombëtar ka imponuar lojën e saj, duke krijuar përshtypjen, se është faktor i rëndësishëm dhe mbase mbetet faktori pa të cilën nuk ndryshohet asgjë në këtë pjesë të botës. Kështu nga pozita e të humburës në luftën e Kosovës, ka rikthyer pozitën e paraluftës.

Serbia po pyetet e po negocion sikurse mos të ishte ajo që ia ka krijuar tragjeditë dhe dhembjet më të rënda si pushtuese, jo vetëm popullit shqiptar, por edhe popujve të tjerë
Serbia me paraqitjet e saj ka ndërkombëtarizuar dhe pretendon ta paraqesë palë edhe pakicën serbe, në mënyrë që të nxjerrë përfitime të ndryshme dhe të vazhdueshme prej saj.

(Kontakti: info@lib-ks.org)