Sarri shpërthen pas finales dhe kërkon që ndeshja me Romën të luhet të hënën: Nëse luhet të dielën, nuk do të jemi në fushë
Maurizio Sarri shpërtheu me kritika të forta ndaj organizatorëve të Serie A pas finales së Kupës së Italisë kundër Interit, duke deklaruar se Lazio duhet të “refuzojë të dalë në fushë” nëse Derbi i Romës zhvillohet të dielën në mesditë.
Lazio e dinte se hynte si favorite më e dobët në finale, sidomos pasi ishte mposhtur 3-0 nga Interi në kampionat vetëm pak ditë më parë.
Për bardhekaltërit, kjo finale përfaqësonte mundësinë e fundit për të siguruar një vend në garat evropiane sezonin e ardhshëm pasi u mposhtën 2-0 nga Interi.
Situata është bërë edhe më e tensionuar për shkak të pasigurisë rreth orarit të Derby della Capitale kundër Romës. Ndeshja mund të zhvillohet të dielën në orën 12:30 ose të shtyhet për të hënën në mbrëmje, pas përplasjes mes autoriteteve lokale dhe Lega Serie A.
Sarri deklaroi se do ta bojkotojnë derbin kundër Romës nëse luhet të dielën në 12:30.
“Nëse derbi luhet të hënën në 20:45, do të jem aty. Nëse luhet të dielën në 12:30, unë nuk do të jem aty dhe mendoj se presidenti Lotito nuk duhet ta dërgojë fare ekipin në fushë", tha Sarri.
Sarri gjithashtu la të kuptohet se një dënim eventual nuk do të kishte peshë të madhe për Lazion.
“Në rastin më të mirë do të marrim një penalizim me një pikë ose diçka të tillë”.
Ai kritikoi ashpër mënyrën si është menaxhuar kalendari.
“Rrëmuja vjen nga një seri gabimesh të Ligës. Janë pesë skuadra që luftojnë për Ligën e Kampionëve, që vlen 80 milionë euro, dhe ndeshja luhet në 12:30? Ky nuk është futboll", tha Sarri i revoltuar.
Presidenti i Lazios, Claudio Lotito, pritet të marrë vendimin final nëse situata nuk ndryshon pas apelimit të bërë nga Lega Serie A në gjykatë. /Telegrafi/


