Ajo që dikur dukej e çlirët dhe pak e pakujdesshme, tani po rikthehet me një fytyrë shumë më të rafinuar

Që kur Chemena Kamali mori drejtimin kreativ të Chloé në vitin 2024, boho është rikthyer në një version më të rafinuar, me tone të tokës, dantellë, punime me grep dhe silueta të lehta.


Këtë verë, fustanet boho janë ndër pjesët kryesore të sezonit. Nga modelet e gjata e të valëzuara te ato të shkurtra me detaje romantike, Chloé, Zimmermann dhe Etro i kanë sjellë ato në një formë më elegante, moderne dhe të përshtatshme edhe për qytet.

Si duket boho modern?

Versioni i ri i këtij stili mbështetet te detajet që krijojnë një pamje femërore dhe të çlirët: skaje me dantellë, materiale të tejdukshme, pala të valëzuara, punime me grep dhe nuanca natyrale si bezhë, krem, kafe dhe ngjyrë rëre.

Në vend të aksesorëve të mëdhenj dhe shumë të dukshëm, stilistët sugjerojnë një qasje më të thjeshtë – bizhuteri të arta, rripa lëkure në tone kafe, çanta kamoshi dhe çizme në stil kauboj, transmeton Telegrafi.

Pesë mënyra për të veshur fustanin boho këtë verë

1. Minifustan i punuar me grep + detaje kamoshi

Nëse nuk jeni adhuruese e stilit klasik boho, kjo është mënyra më e lehtë për ta futur atë në garderobë. Minifustani i punuar me grep i jep veshjes teksturë dhe freski verore, ndërsa detajet kafe prej kamoshi, si çanta, rripi ose sandalet, krijojnë ekuilibrin ideal.

Kombinimi duket i çlirët, por njëkohësisht modern, pa e tepruar me zbukurimet.

2. Fustan me dantellë + bizhuteri të arta

Detajet romantike janë ndër elementet kryesore të boho-s së ri. Zgjidhni modele me skaje dantelle, byrynxhyk ose qëndisje të imëta.

Një byzylyk i gjerë i artë, një varëse e thjeshtë ose një unazë më e dukshme mund t’i japin veshjes një prekje më elegante. Belin mund ta theksoni me një rrip kamoshi.

3. Fustan i thjeshtë + çizme kamoshi deri te gjuri

Për ato që preferojnë minimalizmin, mjafton një minifustan i thjeshtë me një detaj të vogël boho, si rruaza ose rripa të zbukuruar.

Çizmet prej kamoshi deri te gjuri dhe disa byzylykë të artë mund ta ndryshojnë plotësisht pamjen.

4. Fustan kafe prej byrynxhyku + aksesorë të theksuar

Kafeja, kremi, roza pudër dhe ngjyra e rërës përfaqësojnë shumë mirë trendin modern boho. Materialet e lehta prej byrynxhyku japin ndjesinë e freskisë dhe elegancës, veçanërisht në ditët e nxehta.

Për një pamje më të spikatur mund të shtoni syze të mëdha dielli, një shami në flokë ose një rrip interesant që thekson siluetën.

5. Fustan kafe + pantallona të bardha

Një nga kombinimet më interesante të sezonit është veshja e fustanit mbi pantallona. Përveçse duket moderne, kjo mënyrë ju lejon ta vishni fustanin e preferuar veror krejt ndryshe.

Një fustan i shtresuar në ngjyrë çokollate mbi xhinse ose pantallona të bardha krijon kontrast të fortë, ndërsa një rrip i gjerë në bel i jep pamjes prekjen përfundimtare boho.

Boho i kësaj vere nuk është thjesht rikthim në të kaluarën, por një interpretim i ri i stilit të lirë, romantik dhe femëror. Mjaftojnë disa detaje të zgjedhura me kujdes që garderoba të marrë atë frymë të çlirët, por elegante, që pritet ta shënojë sezonin. /Telegrafi/