Robelli: Industria e drurit në Kosovë është shembulli më i mirë i bashkëpunimit me diasporën
Enver Robelli, gazetar e publicist ka deklaruar në “Përballje Podcast” se diaspora vazhdon të jetë një urë e rëndësishme ekonomike për Kosovën, por investimet nga jashtë ende nuk janë në nivelin që pritet dhe shpesh janë mbingarkuar me pritje joreale.
Ky podcast përkrahet nga kompania EXFIS.
Ai theksoi se përtej remitencave, disa sektorë të caktuar kanë përfituar ndjeshëm nga lidhjet direkte me diasporën, sidomos nga komuniteti shqiptar në Zvicër.
“Nuk është që ka ndonjë zhvillim shumë të madh që po vijnë investitorë nga diaspora, por ka aty-këtu ndonjë përparim. Shumë shqiptarë në Zvicër kanë themeluar ndërmarrje ndërtimore dhe ata marrin shumë material nga Kosova. Sidomos industria e drurit ka një zhvillim jashtëzakonisht të mirë në Kosovë falë shitjeve që i bën në Zvicër. E konsideroj si një nga zhvillimet më të mira të mundshme”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, ai paralajmëroi se ideja e kthimit masiv të profesionistëve të diasporës është një iluzion që politika ka ushqyer prej vitesh.
“Në të kaluarën kishte shumë iluzione se njerëzit do të kthehen e do të sjellin ekspertizën e tyre. Askush nuk kthehet se është shumë vështirë të kthehesh në një vend pasi në një vend tjetër 20–30 vite të jetës tënde e ke ndërtu një jetë të re, një karrierë të re. Më duket paksa iluzore. Por, ndonjëherë politika është njëfarë tregu ku shiten shumë iluzionet”, ka shtuar Robelli, shkruan Telegrafi.
Sipas Robellit, kontributi i diasporës duhet të shihet në forma të tjera.
“Kontributi real i diasporës mund të vijë përmes projekteve, investimeve, mentorimit dhe rrjeteve profesionale, jo domosdoshmërish me zhvendosje fizike”, tha ai.
Sipas tij, debati rreth votimit duhet të jetë i qartë dhe pa dilema.
“Nëse dikush e ka shtetësinë, ai mund të votojë. Nuk ka shtetësi të klasit të parë dhe të dytë. Kush ka pasaportë, mund të votojë”, u shpreh Robelli.
Ai shtoi se diaspora ka interesa legjitime në Kosovë, ndaj duhet të ketë përfaqësim të strukturuar në Kuvend.
“Diaspora duhet të ketë një përfaqësim të interesave të saj në Parlamentin e Kosovës. Njerëzit kanë prona këtu, kanë familje dhe kanë interesa të drejta. Do të ishte mirë të kopjohej modeli kroat, ku diaspora dërgon dy-tre deputetë dhe ata përfaqësojnë interesat e saj në Kuvend, si në Saborin e Kroacisë”, ka përfunduar Robelli. /Telegrafi/


