Please enter at least 3 characters.

Rikthimi potencial i LDK-së

- LDK-ja duhet t’i kthehet Rugovizmit (2) -

Në vazhdën e përpjekjeve për të analizuar gjendjen e LDK-së kundrejt Rugovizmit të braktisur prej saj, si dhe i cytur nga reagimet mbresëlënëse të lexuesit/komentuesit të shkrimit “LDK-ja duhet t’i kthehet Rugovizmit” të botuar pak kohë më parë, si dhe në përpjekje për të përshkruar gjendjen e shpërfytyruar politike të LDK-së aktualisht, po shpreh disa çështje të tjera në kuadrin e kësaj analize progresive, që rekomandon “kthimin e LDK-së kah Rugovizmi”. Fillimisht duhet ripotencuar se çdo proces me pretendime reformuese apo rigjeneruese brenda LDK-së, nuk mund të ketë sukses pa rikthimin konceptual politik/ideologjik të partisë në formë/identitet, përkatësisht kthimin e saj kah parimet e Rugovizmit.

Reformimi i LDK-së nuk duhet të kuptohet si shtim i anëtarëve apo nënkryetarëve në kryesitë e degëve e nëndegëve, por ajo duhet të synoj rikthimin masiv të anëtarëve e votuesve të saj të dikurshëm rugovistë, të cilët nuk do të luftonin për “pushtet pa parime”, por për “parime që çojnë kah pushteti”. “Qarkullimi i elitave” ose aftësia për të ofruar kuadro të reja në vazhdimësi, është njëri prej elementeve të partive moderne dhe pretenduese për të qeverisur. Madje, kjo karakteristikë e partive moderne e demokratike, ishe parim i filozofisë politike/udhëheqëse të Presidentit Rugova, i cili në vazhdimësi e rigjeneronte LDK-në fituese me figura/individë fitues të së ardhmes. Pra, dominimi i LDK-së në skenen politike si parti udhëheqëse për 16 vite, i atribuohet gjenialitetit strategjik elektoral të politikës së “qarkullimit të elitave”, që Rugova aplikonte në udhëheqje, duke mbështetur kandidatët fitues potencial në sfidat eventuale që paraqiteshin.

Në gjendjen të cilën LDK-ja ndodhet sot, si humbëse e dyfishtë e zgjedhjeve të kaluara, përkatësisht si pjesë e një qeverie në të cilën nuk qeveris, rikthimi i saj kah metodologjia demokratike e “qarkullimit të elitave” dhe “ristrukturimi” i forumeve të saj aktuale udhëheqëse në nivel qëndror e lokal, është akti fillestar i kthimit të saj në formë apo pretendimit për reformim, përballë sfidave të ardhshme elektorale, të cilat do ta përcaktojnë edhe fatin politik e historik i LDK-së. Në këtë kontekst, sfida e parë me të cilën do ballafaqohet LDK-ja dhe ku do të dëshmohet ose jo aftësia e saj për “qarkullimin e elitave” brenda saj, do të jenë zgjedhjet lokale të këtij viti.

Në këto zgjedhje LDK do të ketë mundësinë e ofrimit të kandidatëve të rinjë potencialisht fitues në zgjedhje dhe dëshmimit se ajo gjeneron me kuadro e personalitete të mjaftueshëm për të fituar të drejten e qeverisjes lokale nëpër komuna e për të pretenduar ekzekutivin në nivel qëndror në zgjedhjet e ardhshme nacionale. Duke mos paragjykuar zgjedhjen që do bëj LDK gjatë përcaktimit të kandidatëve për kryetarë komunash, një përzgjedhje e kandidatëve që janë konsumuar në të kaluarën, që i kanë humbur zgjedhjet apo kanë qeverisur keq, si dhe një përzgjedhje e atyre kandidatëve që betejat elektorale i shohin nga dioptria politike e “statujës së kryetarit” (kryetarit të ngirë) dhe rreshtit të nënkryetarëve të partisë, LDK-së do t’i sjellë një tjetër humbje të turpshme dhe një tjetër fitore spektakolare partisë së Hashim Thaçit.

Mbi këtë bazë reformimi i LDK-së duhet të nënkuptoj hapjen e saj ndaj personaliteteve të reja dhe atyre figurave brenda partisë të cilat janë lënë anash nga dominimi i klaneve të interesit, të cilat e kanë “kapur” partinë për të realizuar qëllimet e tyre personale/grupore. LDK-ja tani duhet të jetë e aftë të bëjë ofertë konkrete politike/elektorale edhe për atë brez votuesisht të rinjë që ndoshta nuk e kanë njohur lavdinë e dikurshme politike e historike të saj (LDK-së).

Në vazhdimësinë e veprimeve që çojnë te domosdoshmëria e rikthimit të LDK-së kah Rugovizmi, është edhe nevoja e rideklarimit të saj si parti e qendrës së djathtë dhe udhëheqëse e këtij spektri ideologjik në Kosovë. Në fakt një gjë e tillë do ta rikthente LDK-në në formën e saj ideologjike në të cilën ishte që nga themelimi e deri në periudhën e vdekjes së liderit të saj historik, Presidentit Rugova.

Dihet mirëfilli se lëvizja politike (LDK) e udhëhequr nga Rugova, ishte lëvizje tipike nacionale që synonte lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, të gërshetuar me vullnetin për demokraci, pluralizëm politik e ekonomi të lirë tregu që çojnë kah kapitalizmi ekonomik dhe vlerat e përgjithshme përendimore. Mbi këtë bazë profili djathtist i LDK-së vazhdoi të përforcohej nga Rugova, i cili synonte rikthimin e traditave të lashta iliro-dardane, si simbolikë të vetëdijës për identitetin antik nacional të popullit shqiptar të Kosovës. Madje, një gjë të tillë Rugova e kishte konkretizuar me propozimet e tij për simbolet shtetërore të Kosovës, të cilat përmbanin elemente të qarta të idenitetit nacional shqiptar të Kosovës.

Në këtë kuadër, veprim tjetër për konfirmimin e idenitetit djathtist të LDK-së, është intensifikimi i bashkëpunimit të gjithanshëm politik me PD-në e Kryeministrit Berisha në Shqipëri, si përgjegjësi e natyrshme politike, morale dhe elektorale që LDK-ja e ka ndaj elektoratit të saj dhe partisë simotër djathtiste të Shqipërisë, drejtë rikthimit të saj kah Rugovizmi. Natyrshmëria e bashkëpunimit të hapur intenziv në mes LDK-së e PD-së, qëndron në faktin se të dy partitë janë në thelb parti anti-komuniste dhe vendosëse të demokracisë e pluralizmit në dy vendet tona.

Bashkëpunimi i theksuar i këtyre dy partive gjatë viteve ’90 dhe mbështetja e vazhdueshme e liderit të PD-së Sali Berisha (atëherë President i Shqipërisë), për politikën paqësore/shtetformuese/demokratike të Presidentit Rugova, i jep ngjyrime morale domosdoshmërisë së bashkëpunimit intenziv të LDK-së me PD-në. Në anën tjetër ky intensifikim i bashkëpunimit të hapur me PD-në, LDK-së i sjellë edhe përfitime elektorale, për faktin se popullariteti i Kryeministrit Berisha në Kosovë është jashtëzakonisht i lartë, pikërisht sepse ai ishte mbështetës në vazhdimësi i politikës së Rugovës.

Përfundimisht, rikthimi i LDK-së së rigjeneruar dhe në formën e saj politike e ideologjike, paraqet një domosdoshmëri përballë rritjes së shenjave të autoritarizmit politik/korrupcionit qeveritar të qeverisë Thaçi dhe kripto-majtizmit në Kosovë. Por, një LDK e udhëhequr në formë kolegjiale e me çështje/poste të ngrira, u ngjanë më shumë disa ish-federatave socialiste, që me gjithë udhëheqjet kolegjiale, nuk i shmangën dot shkrirjet e çështjeve të brendshme problemeatike që çuan në shkatërimin e tyre. Prandaj, rikthimi i LDK-së kah Rugovizmi, në kuptimin nacional, politik,ideologjik, strategjik e elektoral, përbën rrugën e vetme që antarësia dhe votuesit e LDK-së duhet t’u imponojnë strukturave aktuale formale të kësaj partie. Vetëm me një qasje të tillë reformuese, LDK-ja mund të jetë e denjë të përballet me sfidat e rënda me të cilat mund të ballafaqohet ajo, në përpjekjen për përjetësimin e parimeve të Rugovizmit si, Liria, Pavarësia dhe Demokracia.