Reece James pushton rrjetet sociale pas dy supergolave ndaj Newcastle
Mbrojtësi anglez Reece James ka shënuar dy supergola në fitoren e Chelseat ndaj Newcastle United pasditen e sotme (e shtunë) në Ligën Premier.
Chelsea ka fituar me rezultat të pastër 3-0 në udhëtim te Newcastle në ndeshjen e vlefshme për javën e 10-të, duke betonuar pozitën e parë në tabelë.
Golat në këtë fitore të ekipit të Thomas Tuchel u shënuan nga Reece James (65’, 73’) dhe Jorginho (79’).
Megjithatë, dy golat e shënuar nga mbrojtësi i talentuar anglez, James, ‘vodhën’ gjithë vëmendjen.
James arriti t’i shënojë dy supergola, të cilët padyshim se do të luftojnë për golin e javës apo edhe të vitit në Ligën Premier.
Anglezi fillimisht tundi rrjetën në minutën e 65-të me një goditje të fortë me këmbën e majtë, pastaj të dytin po ashtu me një goditje të fortë, por kësaj radhe më këmbën e djathtë.
Në asnjërin rast, portieri vendas i Newcastle nuk kishte asnjë mundësi të mbronte goditjet e anglezit. /Telegrafi/


