Please enter at least 3 characters.

RCC dhe CEFTA bashkëpunojnë për avancimin e tregut të përbashkët rajonal

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviç, mori pjesë sot në hapjen e Javës së CEFTA-s 2025 në Prishtinë, ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për përparimin ekonomik dhe integrimin e tregut në Ballkanin Perëndimor.

Në ngjarje morën pjesë gjithashtu Rozeta Hajdari, ministre në detryë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe kryesuese e rradhës e CEFTA-s, Valentina Superti drejtore në DG ENEST të Komisionit Evropian, Matej Zakonjshek drejtor i Komunitetit të Transportit si dhe Pranvera Kastrati, drejtoreshë e Sekretariatit të CEFTA-s.

Gjatë fjalës së tij, Kapetanoviç vuri theksin te bashkëpunimi RCC-CEFTA në avancimin e Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM) dhe mbështetjen e zbatimit të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Ai përgëzoi kryesuesin e rradhës dhe sekretariatin e CEFTA-s për punën e tyre dhe mirëpriti emërimin e znj. Kastrati në krye të sekretariatit.

“Bashkëpunimi rajonal funksionon kur sjell rezultate praktike dhe të matshme. Së bashku po i shndërrojmë angazhimet e CRM-së në përfitime konkrete për bizneset dhe qytetarët, nga komunikimi më i lirë te tregtia më e lehtë dhe shërbimet digjitale më të forta,” tha Kapetanoviç.

Ai gjithashtu përmendi përmirësimet rajonale, duke përfshirë nivelet rekord të investimeve të huaja, avancimin në dixhitalizimin e procedurave tregtare, roaming-un me BE-në, nënshkrimet elektronike, si dhe transaksionet e para SEPA në tre pjesëmarrës të RCC-së.

Kapetanoviç nënvizoi gjithashtu zhvillimin e Mjetit për Monitorimin e CRM nga RCC, i cili do të mundësojë qeverive dhe partnerëve të ndjekin reformat dhe të rrisin transparencën dhe llogaridhënien.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, sekretari i përgjithshëm i RCC-së u takua me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ku diskutuam për avancimin e zbatimit të CRM-së dhe harmonizimin e përpjekjeve rajonale me Planin e Rritjes së BE-së.

Java e CEFTA-s 2025 do të vazhdojë me diskutime mbi konkurrueshmërinë, transformimin digjital dhe integrimin gradual në tregun e BE-së. /Telegrafi/