Please enter at least 3 characters.

Promemorie për Ibrahim Rugovën

Jeton Kelmendi

(Një lexim akut i mungesës, pas 20 vjetësh)

Kanë kaluar njëzet vjet nga shkuarja në amshim e Ibrahim Rugovës, por koha, kjo kategori filozofike që ai e njihte mirë, dëshmon se nuk e ka shndërruar në një të shkuar. Përkundrazi, koha e ka bërë më të pranishëm si mungesë, dhe mungesa, në filozofi, shpesh flet më fort se prania. Rugova sot nuk është thjesht kujtim historik, jo sepse ai është një pyetje e hapur morale drejtuar shoqërisë së Kosovës: a e kemi kuptuar lirinë për të cilën ai punoi me durim pothuaj stoik? A e kemi kuptuar ende se të përbashkuar ia dalim, për ku jemi nisur?

Kjo promemorie nuk është vetëm një përkujtim ceremonial. Është një rikthim i ndërgjegjshëm te madhështia e veprës së Rugovës dhe një reflektim i thellë mbi zbrazëtinë që ka lënë pas. Në një kohë kur zhurma shpesh zëvendëson arsyen dhe nxitimi errëson maturinë, Rugova mbetet simbol i një politike të mendimit, të durimit dhe të dinjitetit njerëzor. Në ketë përvjetor nuk synohet vetëm përshkrimi i veprës së tij, sepse është thënë dhe thuhet nga ata dhe ato që e njohën dhe e çmojnë veprën e tij kapitale në shërbim të popullit dhe paqes, por leximin e saj si mendim akut i filozofisë në veprim. Sepse Rugova nuk ishte vetëm politikan, ai ishte një mendimtar që vepronte në histori me vetëdijen se historia është e përkohshme, ndërsa vlerat janë afatgjata.

Arkitekti moral i shtetësisë dhe ontologjia e qetësisë: Rugova si kundërfigurë e dhunës

Shpesh thuhet se Rugova ishte “presidenti historik”. Por, ky është një përkufizim i pamjaftueshëm. Ai ishte arkitekti moral i shtetësisë së Kosovës. Para se Kosova të bëhej shtet juridik, u bë shtet në mendjen dhe në ndërgjegjen e qytetarëve të saj. Rugova e ndërtoi këtë ndërgjegje me durim, me simbolikë dhe me besim të palëkundur në të drejtën historike. Ai krijoi institucione paralele jo për të sfiduar me dhunë, por për të dëshmuar se një shoqëri mund të vetorganizohet edhe në kushte shtypjeje. Shkollat, universitetet, strukturat politike, të gjitha këto ishin shprehje e një vullneti kolektiv për të mbijetuar me dinjitet.

Në thelb, Rugova ndërtoi një ontologji të qetësisë. Dhe, kjo nuk është diçka që nuk shihet, apo diçka që nuk dallohet mirë. Në një realitet ku dhuna synonte të bëhej ligj i ekzistencës, ai zgjodhi të jetojë dhe të veprojë sipas parimit se qenia njerëzore nuk realizohet përmes shkatërrimit të tjetrit, por përmes ruajtjes së vetvetes. Kjo zgjedhje e tij ishte thellësisht filozofike: një refuzim i logjikës hobsiane të “luftës së të gjithëve kundër të gjithëve” dhe një afirmim i idesë se shoqëria mund të ndërtohet mbi marrëveshje morale, jo vetëm mbi forcë. Natyrisht se kësaj logjike i printe fakti se forca reale e popullit shqiptar nuk ishte e atillë që mund të përballej me një luftë të hershme, por natyrisht se asnjëherë nuk e kishte përjashtuar ketë veprim, por me kohën më të favorshme dhe ketë e bëri me stil.

Rezistenca paqësore e Rugovës nuk ishte një strategji taktike e përkohshme, ajo ishte një etikë ekzistence. Ai e kuptoi se dhuna e imponuar nga pushteti shtypës synonte jo vetëm trupin, por edhe shpirtin e njeriut. Duke refuzuar dhunën, ai refuzoi ta lejonte armikun të përcaktonte mënyrën e qenies së popullit të tij.

Epistemologjia e durimit: Dija si formë rezistence

Si dijetar i formuar në letërsi dhe mendim kritik, Rugova besonte se dija është forma më e lartë e rezistencës afatgjatë. Në kuptimin epistemologjik, ai e shihte të vërtetën jo si diçka që imponohet me forcë, por si diçka që ndërtohet gradualisht, përmes argumentit, kujtesës dhe vazhdimësisë kulturore. Interesante se kjo qasje në një rajon të njohur tradicionalisht si fuqi baroti, zgjoi kërshërinë e opinionit botëror, duke u bërë një simbol universal i paqes dhe besimit në paqe.

Ai e dinte se pushtetet represive frikësohen më shumë nga mendimi i organizuar sesa nga arma e rastësishme. Prandaj, mbrojtja e shkollës, e gjuhës, e librit dhe e identitetit kulturor ishte për Rugovën një akt po aq politik sa çdo deklaratë diplomatike. Në këtë kuptim, ai ishte i bindur se një popull që mendon nuk mund të zhduket.

Etika e përgjegjësisë: Politika si shërbim, jo si sundim

Ibrahim Rugova e praktikoi politikën si etikë të përgjegjësisë, jo si art të pushtetit për pushtet. Ai nuk kërkoi kurrë dominim personal, përkundrazi, ai u përpoq të ishte instrument i një vullneti kolektiv, duke e vënë veten shpesh në pozitë të vetëpërmbajtjes dhe heshtjes. Në filozofinë morale do të quhej virtyt i maturisë (phronesis) - aftësia për të vepruar drejt në rrethana të ndërlikuara, pa rënë në ekstrem. Rugova e dinte se fitorja e menjëhershme mund të jetë humbje afatgjatë, dhe se kompromisi moral shpesh është më i rrezikshëm se kompromisi politik.

Sot, njëzet vjet pas shkuarjes së tij në amshim, Kosova është shtet. Por, pyetja thelbësore mbetet: a është ajo shtet me vizionin e Rugovës? Mungesa e tij nuk është thjesht mungesë fizike; është mungesë e etikës politike, e durimit strategjik dhe e respektit për mendimin ndryshe. Në diskursin e sotëm politik shpesh mungon qetësia e Rugovës, aftësia për të dëgjuar dhe për të pritur. Ai na mësoi se koha mund të jetë aleate, nëse di ta lexosh historinë. Sot, kur shpesh kërkohen zgjidhje të shpejta për probleme të thella, Rugova do të na kujtonte se shtetet nuk ndërtohen me ngut, por me mençuri.

Simbolika e heshtjes: Metafizika e fjalës së pashqiptuar

Heshtja e Rugovës nuk ishte boshllëk. Mendoj se ishte hapësirë ku mendimi merrte formë. Në një botë të zhurmshme, ai e shndërroi heshtjen në gjuhë. Kjo e afron figurën e tij me traditën filozofike të mendimtarëve që besonin se jo çdo e vërtetë duhet të bërtitet, sepse e vërteta e thellë shpesh kërkon qetësi për t’u kuptuar. Shalli i tij, librat, mënyra e të ecurit dhe e të folurit, të gjitha këto nuk ishin rastësi, por shenjë e një vetëdijeje simbolike. Mos të harrojmë se Rugova ishte simbolist, aq sa edhe këmbëngulës në mendimet e tij racionale. Rugova e kuptonte se politika është edhe teatër i shenjave, por ai zgjodhi një teatër pa patetizëm, pa dhunë vizuale, pa ekzagjerim. Ishte simbolik dhe u bë simbol i një epoke.

Mungesa si kategori filozofike: Pse Rugova na mungon më shumë sot?

Pas njëzet vjetësh, mungesa e Rugovës është bërë më e thellë sepse realiteti ka ndryshuar, ndërsa nevoja për vlera jo. Sot, kur politika shpesh rrëshqet drejt cinizmit, Rugova na mungon si ndërgjegje kritike. Jo sepse ai kishte përgjigje për çdo gjë, por sepse dinte të shtrojë pyetjet e duhura.

Jeta na mëson se mungesa nuk është thjesht boshllëk, por është thirrje për përgjegjësi. Mungesa e Rugovës na pyet: a e kemi shndërruar lirinë në vlerë, apo vetëm në instrument? A kemi ndërtuar shtet, apo vetëm mekanizma pushteti? A jemi në lëkuren tone identitare, apo jemi duke u tjetërsuar?

Të gjitha këto pyetje dhe të tjera të kësaj natyre do të mund t’u jepnim përgjigje, nëse e njohim Rugovën dhe qasjen e tij që i themi rugovizëm. A kemi nevojë ne si shoqëri për ketë doktrinë: Po, dhe shumë.

Dhe, me që ra fjala për ketë qasje, mendoj se duhet ruajtur si trashëgimi. Trashëgimia e Rugovës nuk është pronë politike, por detyrim etik kolektiv. Ajo kërkon që politika të rikthehet te mendimi, te kultura dhe te dinjiteti njerëzor. Të jesh besnik ndaj Rugovës nuk do të thotë ta idealizosh, por ta vazhdojë logjikën e tij morale në kushte të reja historike. Ai na la një ide themelore: se shteti pa etikë është strukturë e zbrazët, dhe se liria pa përgjegjësi shndërrohet në kaos. Kjo ide është sot më aktuale se kurrë.

Vëmendje

Ibrahim Rugova nuk është figurë e së kaluarës. Ai është ndërgjegje e gjallë që na sfidon edhe sot. Në çdo krizë politike, në çdo polarizim shoqëror, pyetja e pashmangshme është: çfarë do të bënte Rugova? Jo për ta idealizuar, por për të mësuar nga një mendje që dinte ta lidhte politikën me etikën. Kjo promemorie është një ftesë për reflektim. Njëzet vjet pas shkuarjes së tij në amshim, Rugova na mungon jo sepse ishte i pazëvendësueshëm, por sepse vlerat që ai mishëroi ende nuk janë bërë zakon. Derisa këto vlera të jetojnë në institucionet, në gjuhën dhe në ndërgjegjen tonë, Rugova do të vazhdojë të jetë i pranishëm, si dritë e qetë në historinë e kombëtare.

Ibrahim Rugova mbetet masë e ndërgjegjes sonë kolektive. Jo ikonë e ngrirë, por kriter i gjallë. Sa herë që politika humb dinjitetin, ai rikthehet si kujtesë. Sa herë që fjala bëhet dhunë, ai na kujton qetësinë. Sa herë që pushteti harron njeriun, ai na kujton etikën. Dhe, krejt për fund, kjo promemorie akute nuk është fund, por ftesë për vazhdim. Sepse, Rugova, në thelb, spikaste besim se historia mund të bëhet njerëzore, nëse njeriu guxon të jetë i mençur, i duruar dhe i drejtë.

Lavdi jetës dhe veprës së Ibrahim Rugovës.
true