Please enter at least 3 characters.

Pro ect Contra Speciales: Gjykatë e Kosovës, stafi i huaj! (Video)

Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Holandës thuhet se kjo Gjykatë do të përbëhet nga gjyqtarë ndërkombëtarë, por që themelohet sipas ligjit të Kosovës. Pra, nuk është gjykatë ndërkombëtare, por kosovare, e cila administron drejtësinë jashtë Kosovës.

Këtë e kanë quajtur të padrejtë deputetët e opozitës, duke thënë se në vazhdimësi në Kosovë janë bërë eksperimente të tilla: në njërën anë thuhet vendore, e në anën tjetër as gjyqtarët dhe as prokurorët nuk do të jenë vendorë dhe se të njëjtit nuk do t’i japin llogari institucioneve të Republikës së Kosovës.

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për KosovaPress ka thënë se amendamenti kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale përveç që është politikisht i padrejtë, krijon edhe një sistem paralel të sistemit të drejtësisë.

“Është dashur të krijohet Gjykata Speciale për gjenocidin që e ka ushtruar Serbia në Kosovë dhe jo për luftën e UÇK-së e për shqiptarë. Pasojat e kësaj do t’i vuajmë shumë shpejtë dhe për këtë do të mbahen përgjegjshëm deputetët e opozitës dhe Qeveria e Isa Mustafës”, tha Haxhiu.

Edhe deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e ka quajtur të panevojshme themelimin e Gjykatës Speciale, duke shtuar se kjo është padrejtësi. Ajo shprehet se lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ka qenë e pastër dhe se kjo është dëshmuar edhe me gjykimet në Tribunalin e Hagës.

Por, ndryshe nga deputetet e opozitës të cilat nuk e përkrahin themelimin e Gjykatës Speciale dhe që e quajnë padrejtësi ndaj shtetit të Kosovës, Rrustem Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka thënë se kjo Gjykatë duhet të krijohet ai për KosovaPress tha se duhet që ta mbyllim kapitullin e viteve të kaluara, teksa është shprehur i sigurt që gjatë kohës së luftës UÇK nuk ka krime të kryera.

“Pres që Gjykata Speciale të zgjerojë fushëveprimin dhe të ndiqen krimet ekonomike, ata që në mënyrë të orkestruar kanë keqpërdorur asetet kombëtare”, ka thënë Mustafa, duke besuar se vlerat e UCK-së më shumë se kurrë do të jenë të qarta.

Deputetja nga PDK, e cila kishte kundërshtuar themelimin e kësaj Gjykate, Ganimete Musliu, nuk ka dashur të komentojë lidhur me këtë çështje.

Ministria e jashtme holandeze, nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare, ka njoftuar për nisjen e themelimit të Gjykatës Speciale në Hagë, që do të hetojë dhe gjykojë rastet e krimeve të luftës, të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë, mes viteve 1999-2000. Sipas njoftimit zyrtar, “gjykata do të gjykojë krimet e rënda që supozohet të jenë kryer në vitet 1999-2000 nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe kundërshtarëve politikë”.