Po ecim me këmbë zbathur
Po ikin orët, ditët, stinët e vitet, por ne po mbesim pa ndryshuar gjendjen tonë aktuale në të cilën gjendemi. Çdo ditë e njëjta ditë, zgjohesh i trulluar nga dertet e kësaj bote të rreme. Gjërat e njëjta si dje na përsëriten edhe sot, por edhe si nesër, sepse për çdo ditë që agon parafytyron se si do të shkon. A thua për shqiptarët çka duhej kalendari, kur çdo ditë, orë e vit i kemi të njëjta!? Monotoni, çka të bësh fillon të bredhësh rrugëve andej e këndej, fillon të flasësh me veten se si të mbijetosh, ku të shkosh të punosh. Kohë mjerimi, në çdo anë sheh njerëz që me kokë ulur kanë shtrirë dorën, kërkojnë një kafshatë bukë sepse nuk kanë ka t’ia mbajnë.
Po ecim me këmbë zbathur në një vend që lindëm po na është i huaj, në një vend që shumë sakrifikuam por prapë s’u gëzuam. Historia për ne shqiptarët e Maqedonisë kish qenë sa e ndritur aq e tmerruar, sa e lulëzuar aq e theruar, sa e gëzuar aq e mjeruar. Po jetojmë në një vend që shumë po japim e asgjë nuk po fitojmë, po ecim me këmbë zbathur dhe nuk po dimë ku shkojmë, po kërkojmë ndryshim po nuk na ofrojnë. Gjithçka njëjtë, asgjë nuk po ndryshon, dhe shpesh pyes veten a thua jemi ndalur në një semafor ku drita e gjelbër kurrë nuk do të ndizet për ne. Alarmet kanë filluar me një ritëm të shpejtë për të NDRYSHUAR gjendjen që kemi. Ndaluni dhe ndihmoni vëllezërit tuaj, sepse i huaji nuk të bëhet i yti. Kjo është të jesh shqiptarë ku ndahesh nga pala tjetër andej urës e këndej urës.
Kjo është e vërtet për ne shqiptarët e Maqedonisë…! Këto ditë u pa gëzimi i madh, sa komente të pëlqyera, pas lajmit se qeveria do të ndihmojë për sheshin Skënderbeu, për shesh që kushton vetëm sa një veshë i luanit që është në qendër. Por për këtë nuk janë fajtorë pala Maqedonase, sepse ne këtë gjendje vetë e kemi sjellë, që gëzohemi me pak si fëmija me një lodër. Hallall të qoftë TODOROVIQ, që po mbështet lodrën për shqiptarët dhe po largon vëmendjen e vendosjes së busteve të kulturës së ndritur shqiptare në Qendër. Ashtu kështu këndej urës nuk kemi asgjë, dhe me këtë shesh do t’i mblidhni shqiptarët në një vend, dhe andej urës të mbeteni të pastër maqedonas. Kjo është politika serbo-sllave.
Ne po gëzohemi për sheshe, derisa shkollat, sallat sportive dhe gjitha që duhen për një rini të shëndosh nuk po ndërtohen, por ardhmëria e nxënësve të Sarajit e Haraçinës, por edhe gjithandej ku ka shqiptarë, po shkon drejtë një humbje të thellë. Derisa ne po i gëzohemi atij sheshi, policia po bllokon fshatra shqiptare, kryeministri çdo ditë po hedhë lopata dhe po ndërton gjithandej ku ka maqedonas. Edhe sa do t’i gëzohemi atij sheshi, derisa mijëra të rinj të diplomuar po bredhin rrugëve ose po ikin nga ky vend, sepse nuk kanë çka të bëjnë (punësime me marrëveshjen e Ohrit sa për sy e faqe, ku të gjithë po qëndrojnë nëpër shtëpi dhe po i gëzohen rrogave të tyre). Kjo është politikë që shqiptarët të mos përparojnë në frymën moderne, por ashtu duke qëndruar të humbin edhe atë dije që kanë. Të vetëdijesohemi o popull shqiptar, mos të ecim me këmbë zbathur, ta lëmë politikën, të bëhemi një - kur janë në pyetje interesat kombëtare, sepse ndryshe historia do të na mallkoj.


