Please enter at least 3 characters.

Pika më e fortë e Arbeloas te Real Madrid zbulohet nga ish-shoku i ekipit

Ish-mesfushori i Real Madridit, Javi Garcia, ka veçuar lidershipin dhe inteligjencën futbollistike të Alvaro Arbeloas si cilësitë më të spikatura të tij, duke theksuar se këto tipare po reflektohen tashmë edhe në rolin e tij si trajner.

Në një intervistë për Marca, Garcia u rikthye te kujtimet nga La Fabrica dhe vitet e kaluara përkrah Arbeloas në ekipet e moshave të Real Madridit, ku të dy kanë zhvilluar rreth 60 ndeshje së bashku.

“Koha ime te Castilla ishte spektakolare. Kur takohem me shokët e asaj periudhe, gjithmonë them se ishin ndoshta vitet e fundit kur e shijova futbollin po aq sa kur isha fëmijë. Kishim një ekip të jashtëzakonshëm dhe një grup njerëzish fantastik”, ka thënë Garcia.

Ai kujtoi gjithashtu debutimin e tij me ekipin e parë në Kupën e Mbretit, duke theksuar vështirësinë e integrimit në një skuadër plot yje.

“Nëse nuk gaboj, fituam 2-1. Ndeshja nuk shkoi siç e prisnim, sepse takimet e Kupës janë gjithmonë të veçanta. Në atë kohë, Real Madridi ishte ekipi i Zidanes dhe Pavonit. Ata impononin shumë respekt, por njëkohësisht kishim mundësinë të mësonim çdo ditë nga më të mirët”.

Sa i përket Arbeloas, Garcia ishte i prerë për ndikimin e tij në dhomat e zhveshjes.

“Ai ishte kapiteni ynë, jo sepse ishte nga më të vjetrit, por sepse ishte lider. Gjithmonë gjente mënyra për të motivuar grupin”.

Si shembull, ai kujtoi një ndeshje vendimtare për ngjitjen në kategori.

“Nuk do ta harroj kurrë një ndeshje promovimi kundër Conquense në shtëpi. Dy ose tre orë para takimit, ai mori tabelën e bardhë dhe shkroi një mesazh të jashtëzakonshëm, që e pamë sapo hymë në dhomat e zhveshjes. Ishte një shtysë e madhe për të gjithë”.

Sipas Garcias, këto cilësi po transferohen natyrshëm edhe në karrierën e Arbeloas si trajner.

“Nëse duhet të veçoja diçka te Alvaro si lojtar, do të ishte personaliteti dhe inteligjenca e tij në fushë. Jam i sigurt se kjo nuk ka ndryshuar dhe tani do të reflektohet edhe në rolin e tij si trajner”.

Edhe pse në atë kohë nuk e imagjinonte Arbeloan në stol, Garcia pranon se shenjat kanë qenë gjithmonë aty.

“Atëherë ishim fëmijë dhe dukej diçka shumë e largët. Por me kalimin e kohës, kur i rikujton gjërat, e kupton se shenjat ishin të dukshme”.

Në përfundim, ai vuri në dukje ndryshimet e dukshme nën drejtimin e Arbeloas te Real Madridi.

“Alvaro është shumë inteligjent. Ai e di saktësisht çfarë po bën. Është shumë i ekuilibruar dhe e vetmja gjë që e intereson është fitimi i trofeve dhe suksesi i Real Madridit. Ndryshimet tashmë po shihen, sidomos në qëndrimin e lojtarëve. Kundër Villarrealit pashë një ekip që donte të luante, të mbante topin, të mbronte dhe të shijonte lojën. Ky ndryshim është falë Alvaros”. /Telegrafi/