Pesë të arrestuar për grabitjen e bizhuterive në Luvër
Pesë arrestime të reja janë bërë në hetimin për grabitjen e bizhuterive në Luvër, njoftoi prokurorja e Parisit.
Stacioni francez i radios RTL raportoi arrestimet të enjten, pas një interviste me Laure Beccuau.
Departamenti i prokurores së Parisit e ndau intervistën në rrjete sociale me mbishkrimin: "Vjedhja në Luvër: Pesë të dyshuar të rinj të arrestuar".
Në intervistë, Beccuau tha se një nga pesë të dyshuarit u identifikua përmes gjurmëve të ADN-së të lëna në vendin e krimit, por shtoi se ishte "shumë herët" për të komentuar më tej mbi identitetin e të dyshuarve.
Bëhet e ditur se të pesë personat u arrestuan në bastisje të koordinuara në zonën e Parisit të mërkurën vonë, por kërkimet gjatë natës "nuk i lejuan të gjenim mallrat".
Ndryshe, arrestimi vjen pasi prokurorja tha se dy të dyshuarit e arrestuar për grabitjen e bizhuterive kishin rrëfyer "pjesërisht" përfshirjen e tyre në grabitje.
Raportohet se hajdutët vodhën 9 artikuj - njëri prej të cilëve u hodh dhe u gjet në vendngjarje - në një grabitje të kryer në muzeun e famshëm botëror të Parisit më 19 tetor. /Telegrafi/


