Please enter at least 3 characters.

Përleshje në parlamentin sllovak

Parlamenti sllovak miratoi ligjin për sinjalizuesit dhe dëshmitarët e mbrojtur, i cili shkaktoi përplasje të ashpra mes deputetëve dhe reagime të forta nga opozita.

Ligji i ri, i propozuar nga qeveria e kryeministrit Robert Fico, ka nxitur kritika edhe nga Komisioni Evropian. Gjatë debatit të stuhishëm të enjten në mbrëmje pati përplasje fizike dhe verbale.

Konkretisht, deputetët e opozitës fishkëllenin, ndërhynin me thirrje dhe hynin në debate ballë për ballë, ndërsa një deputet hodhi një shishe plastike drejt një kolegu nga opozita.

Mediat raportojnë se në rrëmujë janë dëgjuar edhe thirrje se dikë po “mbytnin”.

- YouTubewww.youtube.com

Edhe pse presidenti i shtetit, Peter Pellegrini, vuri veton ndaj ligjit, duke paralajmëruar se ai mund të rrezikojë fondet e Bashkimit Evropian dhe se miratimi ishte nxituar, koalicioni qeverisës të premten gjithsesi e konfirmoi riorganizimin e zyrës për sinjalizuesit.

Disa pika të ligjit u ndryshuan, por shkarkimi i drejtuesve të zyrës mbetet. Komisioni Evropian njoftoi se shpreh keqardhje që nuk janë zhvilluar konsultime të thelluara dhe paralajmëroi se do ta analizojë ligjin dhe do të vendosë për hapat e mëtejshëm.

Opozita pretendon se ligji është një mënyrë për t’u përballur me një institucion që më parë kishte ndëshkuar Ministrinë e Brendshme për transferime të paligjshme të policëve gjatë hetimeve për korrupsion.

Ndërkohë, ndryshimet e përshpejtuara në kodin penal kanë ashpërsuar rregullat për dëshmitarët e mbrojtur, gjë që kritikët e shohin si një përpjekje për të mbrojtur një bashkëpunëtor të lartë të Ficos, i cili është nën hetim.

Udhëheqësi i Sllovakisë Progresive, Michal Shimeçka, i quajti ngjarjet në parlament “një natë mafioze” dhe deklaroi se Sllovakia po dëshmon “masakrën e sundimit të ligjit”.

Tensionet politike në vend janë rritur që kur Fico u rikthye në pushtet në vitin 2023 dhe janë përshkallëzuar edhe më tej pas tentativës për atentat ndaj kryeministrit në vitin 2024. /Telegrafi/