Please enter at least 3 characters.

Patentë shoferi i kompjuterit

- ECDL (EUROPEAN COMPUTER DRIVING LICENCE) -

Ideja për certifikimin me ECDL për mësimdhënësit e Kosovës, rëndësia e veçantë e këtij lëmi dhe hapi i bërë nga Ministria përkatëse, padyshim nëse jo sot, atëherë gjithsesi nesër do të korrë suksese të mëdha.

“European Computer Driving Licence” (ECDL) në gjuhën shqipe do të thotë “Patentë shoferi i kompjuterit”, është një certifikim i njohur ndërkombëtarisht për përdoruesit e kompjuterit. Certifikata ECDL vërteton njohuritë dhe aftësitë përdoruese në kompjuter, si dhe përdorimin më të gjerë të aplikacioneve standarde të kompjuterit, pra me fjalë të tjera është dëshmia numër një për shkathtësitë kompjuterike në botë.

Sot në vitin 2010, gjegjësisht shek. 21, nuk mund e as nuk guxon të paramendohet bota me ekonominë e saj pa teknologjinë informative dhe internetin. Interneti tashmë, u dëshmua si mjeti më i vlefshëm dhe më i mirë për bartjen e informatave të shpejta anembanë botës, përderisa teknologjia informative e mundëson funksionimin e saj.

Deri sot në Kosovë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë, ka certifikuar mbi 750 mësimdhënës, të aftësuar në shfrytëzimin e teknologjisë informative sipas programit ECDL. Program i cili po implementohet nga Universiteti Amerikan (AUK) dhe që do zgjasë disa vite, ku të obliguar janë ta kalojnë të gjithë, rreth 27 mijë mësimdhënës të Republikës së Kosovës. Për secilin mësimdhënës, MASHT paguan për trajnimin rreth 400 euro, një investim i cili duhet vlerësuar ndër më të mirët në Kosovë, pa marrë parasysh koston.

Prandaj falënderim i veçantë t’i drejtohet zotit ministër Enver Hoxhaj, për angazhimin dhe punën e lavdërueshme që bën me stafin e tij në arsim. Momentalisht duket sikur është e vetmja fushë në Kosovë, e cila mendon për të ardhmen e vendit dhe meriton të përmendet për punën e saj, duke pasur parasysh se teknologjia informative mund të ndikoj pozitivisht edhe në ngritjen ekonomike të vendit.

Programi ECDL përbëhet nga shtatë fusha të dijes: Moduli 1 – Bazat e Teknologjisë së Informacionit, Moduli 2 – Kompjuteri dhe menaxhimi i fajllave (sistemi operativ Windows), Moduli 3 – Përpunimi i teskteve në Word, Moduli 4 – Kalkulimi i tabelave në Excel, Moduli 5 – Bazat e të dhënave në Access, Moduli 6 – Prezantimet në Powerpoint, si dhe i fundit Moduli 7 – Interneti dhe programi Outlook (Informacionet dhe e-mail). Të gjitha këto fusha të trajnimit janë shumë të rëndësishme për rolin e ardhshëm që do ketë kompjuteri në vendet tona të punës.

Para disa ditësh kisha rastin të lexoj një artikull në gazetë nga disa arsimtarë rreth programit të ECDL-së, aty lexova një sëri ankesash rreth trajnimit. Njohja e moduleve që përmban programi ECDL është standard të cilin e respektojnë shumë vende të botës, prandaj duhet ta respektojmë edhe ne. Vlerësimi i kandidatëve bëhet on-line duke iu qasur serverit në Zvicër, ku kandidatët përgjigjen në pyetjet për module të caktuara dhe automatikisht njoftohen për rezultatin e provimit, i cili kalohet vetëm nëse arrihen nga 36 pyetjet, 75% përgjigje të sakta.

Unë personalisht si trajner, ndihem i nderuar me mundësinë qe mu dha të ligjëroj programin ECDL për mësimdhënësit tanë, më bëhet qejfi kur shoh mësues, arsimtarë të moshuar, të cilët vijnë dhe vijojnë trajnimin pa prekur ndonjëherë më parë kompjuter më dorë, më pëlqejnë ambiciet dhe vullneti që tregojnë në moshën e tyre për ta mësuar punën me kompjuter. Kisha rastin të dëgjoja falënderime të veçanta nga disa arsimtarë të cilët edhe pse nuk kishin arritur të jepnin 75% të provimit, ndaheshin të kënaqur me modulet e ECDL-së, duke komentuar se tani dinin si ta përdornin kompjuterin me programet përkatëse dhe se tani nuk do kenë nevojë më gjithmonë t’i thërrasin fëmijët e tyre për ndihmë në kompjuter.

Më lejoni t’ju bëj thirrje të gjithë mësimdhënësve të Kosovës, të cilët ende nuk kanë filluar trajnimin e ECDL-së, vizitoni qendrat e ECDL-së të Kosovës, dje ndoshta nuk keni pas nevojë për të, por e nesërmja dhe e pasnesërmja i takon kompjuterit dhe teknologjisë informative. T’i ndihmojmë Kosovës të jetë e përparuar dhe moderne, duam që shkollat tona një ditë të digjitalizohen, mirëpo deri të vije ajo ditë, ne duhet t’i njohim mirë kompjuterët dhe përdorimin e tyre.