Pajtimi si faktor paqeje dhe stabiliteti, roli i OJQ-ve
Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës ka votuar që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur në pajtueshmëri të plotë me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, të hartuar nga i Dërguari Special i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari (më poshtë: Plani i Martti Ahtisaarit). Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë (më poshtë PCN) jo vetëm që do të jetë autoriteti final sa i përket interpretimit të Planit të Martti Ahtisaarit, por, ai edhe do të ketë fuqi të përjashtojë nga detyra secilin zyrtar nëse kundërshton Planin e Ahtisaarit. Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Kushtetutën e Kosovës vetëm pas miratimit të PCN-së. Nëse ka kontradiktë mes Kushtetutës së Kosovës dhe Planit të Martti Ahtisaarit, ky i fundit mbizotëron. Që në fillim kemi të bëjmë me dhunimin e demokracisë meqë imponimi i vendimeve kundër vullnetit të shumicës është e kundërta e demokracisë. Ju përkujtojë se në Republikën e Kosovës afërsisht 92% janë shqiptarë ndërsa 8% janë pjesëtarë të pakicave prej të cilëve 5% janë pjesëtarë të pakicës serbe.
Sipas Planit të Martti Ahtisaarit, për miratimin, ndryshimin apo shfuqizimin e ligjeve kërkohet edhe shumica e anëtarëve të Kuvendit, të cilët mbajnë ulëse të rezervuara apo të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve, të cilat nuk janë në shumicë. Për më shumë, PCN-ja do të ketë të drejtën, nëse është e nevojshme, të anulojë çdo veprim, që ndërmerret nga autoritetet e Kosovës. Republika e Serbisë ka të drejtë të ketë marrëdhënie të drejtpërdrejta me entitetin serb në Kosovë (afërsisht 1/3 e territorit të Kosovës), duke i financuar Komunat Serbe në Kosovë, pothuajse në çdo sferë të jetës. Komunat Serbe në Kosovë bëjnë jetë pothuajse krejtësisht paralele.
Në Republikën e Kosovës zyrtarisht janë të regjistruara mijëra organizata joqeveritare, por prej tyre aktive janë vetëm një numër jashtëzakonisht i vogël. Për më shumë, shumë prej atyre që veprojnë, janë organizata qeveritare sepse janë të instrumentalizuara nga politikanët, por edhe nga donatorët. Ndërkombëtarët kanë luajtur një rol jashtëzakonisht negativ në formimin, forcimin, profilizimin dhe prefesionalizimin e sektorit joqeveritar duke e shndërruar këtë sektor në një servis servil për realizimin e projekteve të caktuara politike dhe të tjera. Ato OJQ-ë që kanë kundërshtuar të instrumentalizohen, janë margjinalizuar! Pothuajse e njëjta situatë është edhe me mediat, e sikundër dihet, mediat dhe organizatat joqeveritare janë dy elementë shumë të rëndësishëm të shoqërisë civile. Praktikisht, në Kosovë nuk ka shoqëri civile. Këtë e vërteton më së miri edhe mendimi proverbial i filozofit polak Adam Michnik “nuk ka shoqëri civile në një vend ku ndërrohen emrat e rrugëve, sa herë që ndërrohen pushtetarët”. OJQ- të në Republikën e Kosovës, menjëhere pas përfundimit të luftës kanë qenë të përjashtuara apo kanë luajtur një rol jashtëzakonisht të vogël në procesin e vendimmarrjes. Lirisht mund të them se nga ky rol kanë qenë të përjashtuar edhe politikanët e Kosovës.
Përveç gjërave që u përmendën më sipër, për të arritur paqe dhe stabilitet në Kosovë, nevojitet pajtim mes shqiptarëve dhe sërbëve meqë raportet midis tyre janë përcaktues të përmbajtjes dhe qëndrueshmërisë së demokracisë në Kosovë dhe rajon. Sikundër dihet, gjatë luftës në Kosovë (1998-1999) afërsisht 12 mijë shqiptarë janë vrarë nga forcat serbe, afërsisht 1 milion shqiptarë janë deportuar me forcë nga shtëpitë e tyre jashtë territorit të Kosovës dhe qindra mijëra të tjerë brenda territorit të Kosovës, kurse rreth 120.000 shtëpi, banesa, objekte kulturore, fetare dhe biznesi janë djegë e shkatërruar. Gjithashtu janë dhunuar shumë femra shqiptare. Pas qershorit të vitit 1999, kur vendoset administrata ndërkombëtare, në Kosovë janë zhdukur rreth 1 mijë joshqiptarë, kryesisht sërbë dhe rreth 100 mijë joshqiptarë, kryesisht serbë, për shkak të pasigurisë dhe dhunës janë detyruar ta lëshojnë Kosovën. Ende janë 1900 persona, shumica shqiptarë që konsiderohen si të zhdukur.
Për të arritur pajtim ndëretnik të qëndrueshëm në vendet ku ka pasur konflikte të armatosura me shumë viktima në njerëz dhe me shumë persona të zhdukur zakonisht janë formuar Komisione të së Vërtetës. Këto komisione, varësisht nga vendi, janë quajtur Komisioni për të Zhdukurit, Komisioni për të Vërtetën dhe Drejtësinë, Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin.
Komisionet e tilla kryesisht themelohen nga institucionet shtetërore, por është e pazëvendësueshme ndihma e organizatave për të drejtat e njeriut, organizatave për persona të zhdukur, mediave, individëve me kredibilitet të dëshmuar njerëzor, politik, kombëtar, institucioneve fetare, shoqatave të veteranëve, të burgosurve politikë dhe pengjeve të luftës, e kështu me radhë. Në këtë kontekst është i pazëvendësueshëm roli i KMDLNJ-së që ka të dhëna të shumta për shkeljen e të drejtave të njeriut në këto hapësira dhe një aktivitet të pandërprerë 20 vjeçar, Qendra për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijëve dhe Qendra për Rehabilitimin e të Mbijetuarve nga Tortura.
Përpjekjet për themelimin e një komisioni të tillë në Kosovë i pat bërë menjëherë pas luftës, shefi i UNMIK-ut, Bernard Koushner, i cili në një takim me Adem Demaçin ka kërkuar që ky i fundit ta kryesojë këtë Komision. Ky Komision do të duhej të përcaktonte të vërtetën për të kaluarën duke identifikuar shkelësit e të drejtave të njeriut dhe duke u mundësuar viktimave të kërkojnë llogaridhënie dhe kompensim material nga shkelësit me qëllim të arritjes së pajtimit ndëretnik. Por, Demaçi ka kërkuar fillimisht që Serbia: ta njohë pavarësinë e Kosovës; të bëjë kërkimfalje zyrtare për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës; të kthejë kufomat e shqiptarëve të vrarë; të zbardhë fatin e personave të pagjetur; të kompensojë dëmet materiale etj. Këto kërkesa janë fundamentale edhe sot nëse dëshirohet të instalohet një dialog i mirëfilltë ndëretnik në Kosovë e që do të shërbente si infrastrukturë e domosdoshme për një pajtim të mundshëm dhe të pashmangshëm ndëretnik midis shqiptarëve dhe serbëve në të ardhmen.
Nismëtarët për krijimin e një komisioni të tillë në hapësirat e ish-Jugosllavisë janë Documenta (Kroaci), Qendra për Hulumtim dhe Dokumentim (Bosnjë Hercegovinë) dhe Fondi për të Drejtën Humanitare (Serbi). KMDLNJ ka këmbëngulur që nisma për themelimin e Komisionit për të Vërtetën të jetë iniciativë vendore, pra pa ndërhyrje nga Beogradi, Sarajeve apo Zagrebi. Për më shumë, KMDLNJ nuk ka pranuar që Komisioni për të Vërtetën në Kosovë të themelohet nga jashtë përmes manipulimit të disa individëve apo organizatave që nuk çojnë fare peshë dhe që këtë punë e bëjnë për të përfituar financiarisht, ashtu sic kanë vepruar organizatat e sipërpërmendura, e posaçërisht Fondi për të Drejtën Humanitare.
KMDLNJ është e mendimit se Komisioni për të Vërtetën nuk mund të formohet pa Shoqatat e Veteranëve, Invalidëve dhe Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqatën e të Burgosurve Politik. Po ashtu, Komisioni për të Vërtetën, sipas KMDLNJ-së, nuk mund të themelohet pa personalitetet e rëndësishme politike, kombëtare e fetare të Kosovës si: Adem Demaci, fitues i çmimit Sakharov, Pajazit Nushi, kryetar i KMDLNJ-së, Rexhep Boja, udhëheqës fetar musliman, Lush Gjergji, udhëheqës fetar katolik, Albin Kurti, aktivist, e kështu me radhë.
Megjithatë, shoqëria civile, ndonëse shumë e hendikepuar ka qenë nismëtare e disa proceseve siç janë: krijimi i kushteve për fillimin e dialogut ndëretnik, kthimi i refugjatëve dhe personave të zhvendosur, bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës, denoncimi i dhunës ndaj pakicave dhe grupeve të margjinalizuara, lobimi për të drejtat e njeriut, zgjedhje të lira, transparencë më të madhe, luftë kundër trafikimit me qenie njerëzore, luftë kundër korrupsionit etj. Këto llogariten si gurë kryesorë për ndërtimin e themeleve e demokracisë në Kosovë. Rrjetëzimi dhe bashkëpunimi në nivel rajonal i OJQ-vë, si pjesa më vitale e shoqërisë civile ka një rëndësi të jashtëzakonshme në ndërtimin, promovimin dhe përparimin e demokracisë! Republika e Kosovës, ka miratuar një infrastrukturë ligjore që është më e avancuara në Evropë për mbrojtjen e të drejtave të pakicave që krijon një hapësirë më optimiste se, megjithatë, me konsolidimin e shtetit të Kosovës, do të konsolidohet edhe demokracia! Shoqëria civile, pasi të jetë konsoliduar, duhet të zë vend të rëndësishëm në këtë hapësirë duke insistuar që kjo hapësirë demokratike të zgjerohet! Është një rrezik jashtëzakonisht i madh për demokracinë në këto hapësira, që të sakrifikohen të drejtat e njeriut dhe shteti i së drejtës për hirë të ruajtjes së stabilitetit dhe paqes ! Kjo pashmangshëm çon në konflikte të reja, me shkelje masovike të të drejtave të njeriut.
(Fjala e drejtorit ekzekutiv tw KMDLNJ-së në konferencën “Roli i shoqërisë civile në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe në procesin e ripajtimit” e cila po mbahet në Ohër)


