Osmani e Rohde diskutojnë për stabilitetin institucional dhe rrugëtimin euroatlantik të Kosovës
02/09/2025
Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde.
Siç njofton Presidenca, gjatë takimit u diskutuan zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë në vend, si dhe procesi i konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Osmani theksoi se do të veprojë gjithmonë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.
Po ashtu Osmani vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me Gjermaninë dhe partneritetin e palëkundur ndërmjet dy shteteve, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve të përbashkëta për të mbështetur rrugëtimin euroatlantik të Kosovës.


