Please enter at least 3 characters.

OEK: Barkodat ndërkombëtare së shpejti edhe për produktet e Kosovës

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka zhvilluar një takim me Kryetaren e Fondacionit GS1 Turqi, Elif Muftuoglu.

Në njoftimin e OEK-ut thuhet se gjatë takimit, u shpreh falënderimi dhe mirënjohja për mbështetjen e vazhdueshme që GS1 Turqia i ka dhënë Kosovës në procesin e anëtarësimit në rrjetin ndërkombëtar të barkodave GS1 – sistem që siguron identifikim dhe njohje globale të produkteve.

“Falë këtij bashkëpunimi, GS1 Kosova do të nisë me sukses lëshimin e barkodave ndërkombëtare, duke i hapur rrugë produkteve të Kosovës për njohje dhe prezencë më të gjerë në tregjet ndërkombëtare.

Ky hap do të shtojë vlerën, besueshmërinë dhe sigurinë e produkteve kosovare, si për konsumatorët vendorë ashtu edhe për ata ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim.

Oda Ekonomike e Kosovës shpreh mirënjohje të veçantë për GS1 Turqinë dhe Elif Muftuoglu për bashkëpunimin e sinqertë dhe përkrahjen profesionale në këtë proces të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. /Telegrafi/