Please enter at least 3 characters.

Në QNR përfundon rinumërimi i 16 kutitve të votimit nga 12 vendvotime

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur procesi i rinumërimit të kutive të votimit, për rinumërimin e të cilave mori vendim KQZ në mbledhjen e ditës së mërkurë.

Nga pasdita e ditës së mërkurë dhe deri në orën 15:30 të ditës së enjte, janë rinumëruar 16 kuti të votimit.

Rezultatet nga ky rinumërim pasqyrohen platformën për rezultate https://resultslocal2025.kqz-ks.org/, në rubrikën “Rezultatet QNR – Rinuëmruara”.

Zgjedhjet lokale në Kosovë u mbajtën më 12 tetor, por në shumicën e komunave do të ketë një rund të dytë më 9 nëntor, pasi ato nuk arritën t’i zgjidhnin kryetarët e tyre në rundin e parë.

Në ditën e zgjedhjeve votuan 39.58 për qind e mbi dy milionë qytetarëve me të drejtë vote brenda vendit.

Sipas KQZ-së, në 21 komuna është zgjedhur kryetari në rundin e parë, ndërsa në 17 komuna të tjera, përfshirë Prishtinën, do të mbahet edhe rundi i dytë.

Praktikat e mëparshme kanë treguar se fitorja në rundin e parë nuk garanton fitoren përfundimtare edhe në raundin e dytë në rastet kur ka balotazh.

Nga komunat me shumicë serbe, vetëm në Kllokot do të ketë rund të dytë, ndërsa në nëntë të tjerat ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit.