Myftiu Zukorliq kërkon autonomi për Sanxhakun
"Përkundër spastrimit etnik dhe vështirësive tjera, sanxhaklinjtë nuk u zhdukën siç planifikoi Serbia. Sanxhaku është një rajon që ka historinë e vet të veçantë", ka thënë Zukorliq.
Sipas tij, nëse Sanxhaku nuk bëhet shtet i pavarur, të paktën, duhet ta ketë autonominë politike dhe territoriale, transmeton Telegrafi.
"Përkundër të gjitha vështirësive me të cilat përballemi, që 100 vite jetojmë të pushtuar nga Serbia dhe Mali i Zi. Ata Sanxhakun e kanë ndarë në mes por ne nuk kemi pushuar së ekzistuari. Edhe pse ndaj nesh është bërë spastrimi masiv etnik gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, sikur edhe gjatë luftërave të fundit në Bosnje dhe Kosovë , ne mbijetuam", tha Zukorliq.
Ai ka përmendur shtetet të cilat e rrethojnë Sanxhakun: Mali i Zi, Serbia, Kosova, dhe vlerësoi se pozita e këtij rajoni është shumë e rëndësishme, sepse siç tha ai, lidh Bosnjën me Kosovën, ndërsa Serbinë e bashkon me Malin e Zi, gjegjësisht e ndan në mes tyre.
Intervista e myftiut dhënë këtij televizioni, nuk ka kaluar pa u komentuar nga mediat në Serbi.
Sipas gazetës beogradase “Kurir”, ky udhëheqës fetar është i njohur për deklaratat e tij ndezëse dhe provokuese për opinionin.
Myftiu Zukorliq nga shtetet arabe nuk kërkon siç thotë ai “sadakë”, por fton botën arabe për të investuar në Sanxhak. /Telegrafi/


