Please enter at least 3 characters.

Mustafa reagon për zhvillimet në LDK: Çështjet zgjidhen në organet vendimmarrëse, jo përmes tifozllëkut

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda partisë, duke thënë se nuk ka dashur të involvohet në debatet publike rreth rezultatit zgjedhor, dorëheqjeve apo emrave konkretë për udhëheqjen e LDK-së.

Në një reagim publik, Mustafa tha se përgjegjësia për rezultatin zgjedhor është çështje etike dhe duhet të trajtohet brenda strukturave vendimmarrëse të partisë.

“Jam munduar të mos involvohem me opinione për çështje të rezultatit zgjedhor, në debate për dorëheqje apo se kush duhet të jetë e kush të mos jetë në krye të LDK-së, duke konsideruar se përgjegjësia për rezultatin është çështje etike, nuk është çështje e testimit dhe liçencimit. Se kjo zgjidhet në organet vendimmarrëse të LDK-së; jo në deklarimet e ndonjë dege, të ndonjë simpatizanti, josimpatizanti apo të ndonjë debutueseje boshe se kush duhet të shkojë e kush jo nga LDK”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka kritikuar qasjet që sipas tij e deformojnë demokracinë e brendshme të partisë dhe rrezikojnë përçarjen.

“Në LDK problemet më së paku mund të zgjidhen me tifozllëk, andaj format e tilla të propagandës e deformojnë demokracinë dhe mund ta bëjnë Kuvendin e thirrur arenë të përçarjeve, që nuk i nevojitet LDK-së, e cila akoma nuk është shëruar nga një Kuvend i tillë i para njëzet viteve”, ka shkruar Mustafa.

Mustafa ka theksuar se LDK ka potencial për t’u ringritur dhe se partia nuk duhet të reduktohet në emra të veçantë.

“LDK nuk meriton epitafe. Ata që e duan duhet ta duan me besim të plotë se LDK ka potencial, ka forcë vetërregulluese dhe mund të ringritet si subjekt i fortë politik, i cili siguron balancë në ndërtimin demokratik të shtetit të Kosovës”, u shpreh ai.

Ai ka shtuar se përjashtim nga identifikimi me individë bën vetëm themeluesi historik i LDK-së.

“Duhet ta kuptojnë se LDK qëndron para çdo emri të përveçëm; se përveç me kryetarin e saj historik Ibrahim Rugova, LDK nuk identifikohet me asnjë emër të veçantë”, ka shkruar Mustafa.

Duke folur për rolin e Kuvendit të LDK-së, Mustafa ka theksuar se ai duhet të riafirmojë orientimin ideologjik dhe politik të partisë.

“Kuvendi si organi më i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës do duhej të sigurojë se LDK nuk është parti as e vjetër as e re por parti që zhvillohet mbi bazat e përcaktuara 36 vite më parë me aktin themelues të saj si parti konzervatore e qendrës së djathtë me orientim të palëkundur euroatlantik”.

Ai ka nënvizuar se LDK nuk duhet të shndërrohet në një mjet për interesa të tjera politike. Në fund, Mustafa ka bërë thirrje për unitet dhe reforma gjithëpërfshirëse brenda partisë.

“LDK-së nuk i nevojiten ndarjet në ne dhe ata; të vjetrit dhe të rinjtë; të mitë dhe të atyre para meje. Ajo ka nevojë të mendojë për forma dhe mekanizma që sjellin sa më shumë anëtarë, simpatizantë dhe votues”, tha Mustafa, duke shtuar se Kuvendi mund ta gjejë zgjidhjen më të mirë duke vlerësuar se çfarë është e dobishme për rritjen dhe progresin e LDK-së, për forcimin e unitetit të brendshëm të saj, për ofrimin e veprimtarëve dhe veprimtareve, sepse asnjë njeri në LDK nuk është i tepërt. /Telegrafi/