Please enter at least 3 characters.

Moti sot - temperaturat deri në 36 gradë Celsius

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se edhe dita e diel do të karakterizohet nga mot kryesisht me diell dhe temperatura të larta në të gjithë vendin.

Sipas parashikimit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11 dhe 16 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë nga 32 deri në 36 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes dhe veriperëndimit.

IHMK njofton se indeksi UV do të mbetet në nivel të lartë, ndaj qytetarëve u rekomandohet të shmangin ekspozimin e zgjatur ndaj rrezeve të diellit gjatë orëve të mesditës dhe pasdites së hershme.

Sa i përket kushteve biometeorologjike, temperaturat e larta dhe rrezatimi i fortë diellor mund të shkaktojnë lodhje, dehidrim dhe shqetësime shëndetësore, veçanërisht te personat me sëmundje kronike, fëmijët dhe të moshuarit.

Rekomandohet konsumimi i sasive të mjaftueshme të lëngjeve, shmangia e aktiviteteve të rënda fizike në ambiente të hapura gjatë orëve të nxehta dhe qëndrimi në ambiente të freskëta.

Në aspektin agrometeorologjik, moti i kthjellët dhe temperaturat e larta pritet të favorizojnë pjekjen dhe vjeljen e kulturave bujqësore, si dhe zhvillimin e proceseve fenologjike.

Megjithatë, IHMK thekson se temperaturat e larta do të rrisin avullimin dhe humbjen e lagështisë nga toka.

Për këtë arsye, fermerëve u rekomandohet ujitja e rregullt e kulturave gjatë fazave më të ndjeshme të zhvillimit, veçanërisht në orët e hershme të mëngjesit ose në mbrëmje, për të reduktuar stresin termik dhe humbjet e ujit. /Telegrafi/