Please enter at least 3 characters.

(Mos)Votoni disa nga ish deputetët, apo thirrje për ndërgjegjësim qytetar!

Zgjedhjet e jashtëzakonshme

Kosova po shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Nuk do të ishte keq të portretizonim kalimthi njerëzit që morën mandatin e zërit të popullit në zgjedhjet 2007, e që shpresonim se do t’i japin një rrjedhë pozitive parlamentarizmit dhe qytetarisë së këtij vendi. Por, a ndodhi kështu? Përgjigjën më të mirë do ta japim nëse në ndërkohë sa ishin të njëjtit në mandatim të analizojmë disa nga dukurit negative që e përcollën në veçanti punën (jo)aktive të parlamentit, e sidomos fenomenin e kontrabandimit të mandateve nëpër partitë e ndryshme politike, dukurinë e “prostuticionit publik politik” (siç e cilësoi një diplomat i jashtëm punën e ndërrimit të bindjeve personale të sovranit).

Meqë nuk kemi edhe gjithaq hapësirë për t’i elaboruar më detajisht të gjitha të bëmat dhe të pabërat e tyre, le të nisemi nga një vendim që ata nuk e morën për Kosovën, por për vetën e tyre. Fjala është për privilegjet e tyre materiale, ata vetes i siguruan të ardhura të majme edhe pas shpërndarjes tempullit të demokracisë. Për këtë privilegj të pandërgjegjshëm ata ishin kujdesur qysh gjatë kohës sa ishin në këtë pozitë, pavarësisht se shoqëria civile dhe disa nga mediet lokale e kundërshtuan ashpër këtë vendim, por nuk arritën, sepse fitoi argumenti i fuqisë së gishtërinjve te tyre! Këtë bindje të tyre e fuqizojë edhe neni 14, ( “deputeti gjatë ushtrimit të mandatit të tij ka të drejtë kompensimi për pagë bazë, kurse gjithashtu ka të drejtë edhe për pagë kalimtare pas përfundimit të mandatit”...(!?) të cilin gjithashtu vetë ata e kishin aprovuar në mënyrë unanime?!. Kur të kihet parasysh shkalla më e lartë e papunësisë, dhe e korrupsionit jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë, pastaj ajo e krimit të organizuar dhe sidomos varfërisë, duket që ky vendim i tyre ishte i tepërt dhe i pamoralshëm edhe për shkak të monopolizimit të vendimit për ta bërë atë!

Kontrabandimi me votën e qytetarëve

Ky fenomen i fuqizuar sidomos në zgjedhjet e sivjetme nacionale do të mbahet në mend edhe për shkak se motivet e disa ish deputetëve për t’u transferuar nëpër subjektet tjera, nuk mund t’u adresohen shkaqeve të koncepteve, programeve e aq më pak bindjeve dhe procesit të profilizimit të brendshëm të ndodhur përbrenda vetë subjekteve kryesore politike në skenën aktuale në Kosovë, por para së gjithash interesave personale materiale (rrogave super të majme!?) që ishin përkujdesur sa ishin në mandatim, pastaj statusit të imunitetit, si edhe shumë privilegjeve tjera të dekretuara edhe me fuqinë e vis majorit-alias rregulloreve dhe ligjeve të legjislativit. Thënë më troç, kjo lojë kinse eufemiste sipas tyre, nuk mund të shquhet ndryshe veçse si kontrabandim me votën e qytetarëve të Kosovës!

Zgjedhjet e dhjetorit, me siguri do të dëshmojnë që këta njerëz ish deputet të Kosovës kanë bërë llogari pa hanxhiun! Dhe se transferimi i tyre në mjediset (partitë) e reja politike, më nuk do të mund tu shitet qytetarëve as si bindje ideologjike, as si përforcim profesional, as si nevojë e demokratizimit të brendshëm partiak, as si bindje politike, përveçse si interes i tyre ekskluziv personal për t’i materializuar synimet dhe ambiciet e tyre egoiste!

“Prostucioni publik politik”

Kujtojë që lexuesi i këtyre rreshtave do te dakordohet me mua që jo vetëm kohëve të fundit, por edhe gjatë gjithë mandatit tre vjeçar goxha ka qenë evident fenomeni i koketimit permanent të disa ish deputetë si nga pozita ashtu edhe nga opozita, e te cilët publiku i njeh me së miri me këtë lloj sjelljesh të pa natyrshme... Le të përkujtojmë për një moment vetëm disa nga seancat e Parlamentit...ku gishtërinjtë e tyre vendosën për shumë tenderë, për privatizimin e shumë ndërmarrjeve publike, për .... Pra, ky soj deputetësh me këto lloj aleancash, koketimesh nuk mund të shuhet ndryshe veç si një lloj tipik i “prostuticionit” (publik politik?!) – ashtu siç edhe e identifikoi diplomati i lartpërmendur.

Parlamenti i kaluar “historik” siç ua kënda po ashtu disa nga ish deputetët të shprehën për gjoja rolin e tyre në këtë mandat të shkuar, ishin po ata të cilët në mënyrë shumë të paskrupullt kanë ndërruar shumë herë qëndrimet e tyre, duke harruar se ata në realitet nuk përfaqësonin vetveten, por votuesit e tyre që u dhuruan të gjitha ato privilegje (mos të harrojmë vetëm inicimin e rritjes së pagave mbi 2000 Euro?!) me aktin e përzgjedhjes së tyre si deputet të Kuvendit të parë të lirë në Kosovë. Dyfytyrësia e disave nga ata gjatë këtij mandati ka mundur të shihet edhe në rastet kur ata votonin me inercionin e interesave partiake e sidomos atyre personale, duke harruar kështu që janë deputet dhe kanë për obligim ligjor e moral të avancojnë dhe të mbrojnë interesat e gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim përkatësie ideologjike, racore, etnike, e fetare.

Po ashtu, në këtë kuadër të kësaj dyfytyrësie apo mëkateve që do ta bartin disa nga ish deputetët e ish Parlamentit të Kosovës do të mund të numëroheshin rastet kur ata nën maskën e demokracisë dhe fuqisë për të vendosur në emër të demosit, ngritën gishtat e tyre të artë pro varfërisë së buxhetit edhe ashtu të varfër të Kosovës. Populli mban mend thuhet! Por a do të mbaj ne mend kësaj radhe? Kjo mbetet për tu parë.

Këshilla

Pra, të gjithë ata deputet që kemi fakte se i kanë luhatur, mashtruar e kontrabanduar në mandatin e kaluar, bindjet, interesat dhe ndjenjat e elektoratit të Kosovës, në fakt nuk do të duhej ta kalonin pragun e ndershmërisë për të qenë përfaqësues tanë në Parlamentin e ri të Kosovës. Disa prej tyre gjithashtu nuk do të duhej të na përfaqësojnë në mandatin vijues edhe për një fakt tjetër shumë të rëndësishëm: atë të hasmërisë sonë të skajshme me njëri-tjetrin, pra neve që i bëmë të ndjehen: të privilegjuar, të pasur, të fuqishëm, imun, jo të rëndomtë karshi neve..., në vend që të jenë dhe të mbesin katalizatorë i zërit dhe arsyes dhe interesit sikurse në gjithë botën e civilizuar!

Gjatë këtyre ditëve, ata sërish do të ua mësyjnë qyteteve, fshatrave, lagjeve Tuaja, ku sërish nëpër tubime do të ndryshme do të dëgjoni zërin e tyre të demagogut duke kritikuar çdo të arritur dhe të pa arritur(!?), vetëm e vetëm që të përvetësojnë zemrat dhe mendimet tuaja dhe me votën Tuaj të rifitojnë sërish fuqinë e të privilegjuarit, të pasurit dhe të benificioneve tjera që mundëson ky lloj vendi pune.

Të tillëve që u kanë mashtruar një herë me premtime boshe, në këto zgjedhje, për mendimin tim nuk do të duhej t’u jepet sërish shansi e as vota e Juaj që parlamentin e Kosovës ta shndërrojnë në teatër tragjiko-komik, ku nuk dihet misioni dhe detyra e një përfaqësuesi të popullit...

Pra Ju do të vendosni kësaj radhe se kush doni që t’Ju përfaqësojë në legjislativin e ri të Kosovës: demagogët dhe matrapazët, apo njerëzit që bënë diçka për Juve, familjen, vendbanimin dhe vendin Tuaj? Kini kujdes, është koha për ndërgjegjësim qytetar! Vota Juaj është arma më fuqishme për tu liruar nga ky soj njerëzish, pra: Mos Votoni disa nga ish deputetët!