Please enter at least 3 characters.

Modeli qeverisës “Prishtina” !

Qeverisja lokale si nivel në të cilin qytetari e prek realisht shtetin dhe pushtetin me shërbimet që merr në koncept duhet të jetë vendi ku qytetarët realisht do të duhet të kërkonin shërbimet dhe do të duhej të ishin shumë me aktiv në jetën publike.

Në Kosovë nga viti 2000 deri në vitin 2007 u krijua një sistem lokal i cili nuk ishte një sistem i një qeverisje përfaqësuese, ky sistem beri që njerëzi të jenë të papërfaqësuar jo denjësisht dhe si rezultat ta shohin institucionin si një grup njerëzish që përfitojnë nga pushteti dhe marrin benefite personale, mirëpo me ndryshimin e sistemit nga ai proporcional në sistem mazhoritar u krijuan parakushte që të kemi zhvillim me të qëndrueshëm politik dhe përfaqësim me të dinjitetshëm, po ashtu u krijuan parakushte që të kemi gara mes programeve zhvillimore dhe kualiteteve politike dhe profesionale të individëve konkurrues.

Për pasojë kemi në këto dy vite krijimin e disa modeleve të qeverisje dhe të menaxhimit politik në nivel lokal.

Deformimi i parimeve të sistemit elektoral!

Në Prishtinë si pasoj e rezultateve të zgjedhjeve të kaluara në balotazh kaluan dy kandidat Prof. Dr. Isa Mustafa nga LDK dhe Fatmir Limaj nga PDK, kjo nuk do të ishte teme diskutimi nëse nuk do të kishim një deformim konceptual dhe parimor kur kandidati i një partie të sapoformuar, e cila do të duhej të kërkonte prezantimin të qëndrueshmërisë se vet nuk hyn në balotazh, por partia si e tille merr vota pothuajse të barabarta me partine kryesore.

Ky kandidat (Ibrahim Makolli) bën “marrëveshje” bashkëqeverisje me kundërshtarin direkt dhe jap përkrahje jo parimore për të dytin në balotazh, kjo në vete benë që të kemi nonsens politik dhe konfirmim të një partie fantazme, e cila nuk mund të qëndroj në skenën politike, sepse nuk ka opsion të vetin, këtë e konfirmon ndodhia ku deri dje pretenduesi bëhet përkrahës i ish kundërshtarit direkt, ndërsa në anën tjetër kemi modelin ku i pari i balotazhit nuk pranon marrëveshje dhe kërkon koalicion me qytetarët, kërkon votën dhe besimin e tyre dhe këtë e merr, kjo të qytetarët në koncept dhe ne veprim u përkthye si shpresa e madhe për politiken e re dhe u përkrah unanimisht me një fitore prej rreth 60% të votave të balotazhit.

Prishtina si model i qeverisjes se mire!

Qeverisja e dy viteve nga z. Mustafa, përkundër sfidave të mëdha në ndërrimin e mentalitetit të ofrimit të shërbimeve nga organet komunale, si dhe të bllokimit të qëllimshëm nga niveli qendror i qeverisjes, u shndërrua në një model, i cili duhet të studiohet dhe të merret si shembull i suksesit qeverisës dhe të trajtohet si i tillë. Po të merret në konsiderate fakti se z. Mustafa kishte një koalicion formal në nivel lokal me PDK për disa arsye madhore;

LDK në nivel lokal kishte fituar shumë me pak vota se sa kandidati saj tashme kryetari Prishtinës dhe për pasoj nuk mund të qeveriste e vetme. Fakti i dytë është se tashme kishte një koalicion LDK – PDK në nivel qendror, i cili parimisht do të jepte premisa që edhe në nivel lokal të kemi komunikim me të mire nëse do të kishim një koalicion formal me PDK.

Mirëpo në të vërtet as PDK dhe LDK se bashku nuk kishin shumicën qeverisëse në nivel komunal. Por këtu lind e veçanta e kësaj qeverisjeje, sepse kryetari Mustafa ka arritur që për dy vite të ketë qeverisje efektive dhe efikase, ku të gjitha vendimet dhe rregullorët janë marrë me shumicë votash, pa pasur shumicën qeverisëse.
Kjo ndodhi për faktin se u ndërtua modeli politik qeverisës i përfshirjes në vendimmarrje i te gjithë aktorëve politik të përfaqësuar në asamblenë komunale.

Konsultimi dhe përfshirja në programe dhe në zbatim edhe i kërkesave politike dhe teknike të të gjithë partnerëve politikë. Krijimi i një modeli të tillë politik dha premisa se është një model i suksesit demokratik, model që i rrezoj edhe teoritë politike të qeverisjes, sepse nuk mund të ndodh që të qeverisesh pa pasur shumicë për një mandatë të terë politik. Kjo ndodhi në Prishtinë dhe këtë e beri një mençuri politike, demokratike dhe përfshirëse e përfaqësuar nga z. Mustafa.

Ky model i qeverisjes pa pasur shumicën qeverisëse është një rast përjashtimor politik që mund ta drejtojnë vetëm lider politik vizionar, lider politik të cilët mund të drejtojnë vendin drejt shpresave të mëdha drejt mundësive të mëdha.

Përplasja e modelit me modele te tjera!

Modeli qeverisës i ndërtuar në Prishtinë u mirëkuptua nga partitë politikë në nivel lokal dhe sidomos nga qytetarët por u sfidua dhe u tentua të bllokohej nga niveli qendror i qeverisjes. Përkundër ekzistimit të “koalicionit” të të njëjtave parti politike si në nivel qendror ashtu edhe në at lokal, ndodhi përplasja e modelit përfshirës të përfaqësuar nga Z. Mustafa, me modelin përjashtues, provincial të përfaqësuar nga z. Hashim Thaçi në qeverinë qendrore të vendit.

Qeveria qendrore nuk dëshironte që Prishtina të ishte e suksesshme, sepse do ti rrezikonte pozitat politike në një të ardhme jo të largët, sipas kalkulimeve të z. Thaçi. Prandaj nuk u lejua që të kishte decentralizimin dhe riorganizim të shërbimeve administrative, që kanë për qellim të përmirësojnë jetën e qytetarëve. Nuk u dhanë burimet e nevojshme financiare për zhvillimin e kryeqytetit. Nuk u dhanë në pronësi komunale kompanitë që ofrojnë shërbime në nivel komunal, nuk u aprovua ligji për Qytetin e Prishtinës (një obligim kushtetues sipas nenit 13 të Kushtetutës së Republikës se Kosovës), u përdor secila formë e mundshme, me qellim te bllokimit të zhvillimit normal të kryeqytetit të vendit.

Por me insistimin dhe angazhimin e jashtëzakonshëm të kryetarit të Prishtinës, u arrit që radhët e gjata me qindra qytetar duke pritur për shërbime administrative të eliminohen, duke e ndarë komunën në 5 qendra administrative (distrikte) ashtu siç kryetari Mustafa e kishte propozuar në Ligjin për Prishtinën, një ligj që do ta bënte Prishtinën një qytet modern funksional, model i zhvillimit për qytetet e tjera të vendit dhe një shembull i ndërtimit të demokracisë funksionale. Megjithatë mençuria politike e kryetarit arriti që të bëjë të mundur krijimin e këtyre qendrave administrative përkundër tendencave për bllokim.

Në aspektin e financave qeverisja dy vjeçare e z. Mustafa hasi në shumë probleme që do të mund të krijonin sfida të mëdha qeverisëse, sepse modeli regresiv i qeverise qendrore tentonte që për arsye politike të kishte bllokime, Komunës se Prishtinës nuk ju dha mundësia që të ketë privilegjin e trajtimit special si kryeqytet, por as nuk ju lejua që të jetë e barabarte me komunat e tjera në konceptin e shpërndarjes se burimeve financiare nga qeveria qendrore, bile u tentua që edhe buxheti të bllokohej. Por çfarë ndodhi?
Kryetari Mustafa ndërmori veprimet e veta politike dhe teknike duke ulur taksat dhe tatimet komunale duke zgjeruar bazën tatimore. Për pasoj pati një impakt pozitiv të jashtëzakonshëm, katërfishim i të hyrave vetanake në dy vite dhe me ritmet e parapara për katër vitet e ardhshme Prishtina do të jetë qytet me qëndrueshmëri financiare dhe zhvillimore.

Në aspektin e infrastrukturës, edhe këtu qeveria qendrore u tregua diskriminuese sepse udhëhiqej nga mentalitet refraktar dhe inatçor politik sepse humbësi i madh i Prishtinës ishte bëre ministër i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit. Ai do të hakmerrej dhe nuk do të lejonte që parat e buxhetit të Republikës së Kosovës të mbledhura në mbi 50 për qind nga aktivitetet ekonomike që realizohen në territorin e Komunës se Prishtinës, por edhe këtu modeli i qeverise qendrore ishte një model hakmarrës dhe bllokues. Por çfarë ndodhi?

Kryetari Mustafa me rritjen e lartpërmendur të buxhetit arriti që të katërfishohen mundësit për investime kapitale dhe për pasoj ndërtimin e mbi 170 rrugëve, ndërtimin e kolektorit të ujerave të zeza, që përbenin rrezik të madh për jetën e qytetarëve, ndërtimin e unazës se brendshme të qytetit dhe shumë veprave të tjera që përmirësuan jetën e qytetarëve. E njëjta politike ndodhi me shkollat ku u ndërtuan mbi 18 shkolla të reja mbi 6 Qendra të Mjekësisë Familjare, mbi 8 hektar parqe dhe shumë ambiente publike të përmirësuara.

Prandaj në konkluzionin mbi modelin qeverisës në aspektin politik pamë një model të suksesit në menaxhimin e qytetit, të përfaqësuar nga kryetari Mustafa, përball një modeli bllokues, një modeli inatçor një modeli hakmarrës të qeverise qendrore. Rezultati ishte i jashtëzakonshëm fitoi modeli i gjithëpërfshirës qeverisëse, dhe me faktet e sipër përmendura Prishtina u shndërrua në një inspirim politik dhe qeverisës për shumicën e komunave në Kosovë, u shndërrua në një inspirim për votuesit kosovar, e sidomos për votuesit e Prishtinës, që po e përkrahin unanimisht ketë model të qeverisje transparente dhe zhvillimore, të një administrate efikase, një model që do të marr vlerësimin final të qytetarëve të Prishtinës ditën e 15 nëntorit 2009.

Do të jenë këta qytetarë, që do ta konfirmojnë këtë model. Ketë konfirmim duhet ta bëjnë duke dal në votime dhe duke votuar alternative që ata e besojnë modelin që ata e duan.

(Autori është magjistër i zhvillimit lokal, këshilltar i Kryetarit të Prishtinës dhe ligjërues i lendes “Qeverisja Lokale”, në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Shkencave Politike)