MedTech & Digital Health Kosova 2026: Platforma që bashkon inovacionin, teknologjinë dhe të ardhmen e kujdesit shëndetësor
Më 16 qershor 2026, Prishtina do të bëhet qendra e diskutimeve mbi transformimin e sektorit shëndetësor përmes teknologjisë dhe inovacionit, me organizimin e konferencës “MedTech & Digital Health Kosova 2026”, një ngjarje e rëndësishme profesionale që zhvillohet nga Asociacioni i Spitaleve Private të Kosovës (ASPKS) dhe Chester Group, në kuadër të Kosova Health Forum.
Konferenca do të mbledhë në një platformë të përbashkët përfaqësues të institucioneve publike, profesionistë shëndetësorë, drejtues të spitaleve dhe klinikave, kompani të teknologjisë mjekësore, ekspertë të transformimit digjital, organizata ndërkombëtare dhe aktorë të tjerë relevantë të ekosistemit shëndetësor.
Në një kohë kur teknologjia po ndryshon me ritme të shpejta mënyrën se si ofrohen shërbimet shëndetësore, MedTech & Digital Health Kosova synon të krijojë një ngjarje për shkëmbimin e njohurive, prezantimin e inovacioneve më të fundit dhe diskutimin e sfidave dhe mundësive që sjell digjitalizimi i sistemit shëndetësor.
Përmes paneleve tematike dhe prezantimeve profesionale, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të diskutojnë mbi inteligjencën artificiale në shëndetësi, transformimin digjital të institucioneve mjekësore, telemjekësinë, sigurinë e të dhënave shëndetësore, teknologjitë moderne diagnostikuese, si dhe rolin e inovacionit në përmirësimin e përvojës së pacientit dhe rritjen e efikasitetit të shërbimeve shëndetësore.
Ngjarja do të shërbejë gjithashtu si një platformë e rëndësishme rrjetëzimi, duke krijuar mundësi për bashkëpunim ndërmjet sektorit publik dhe privat, investitorëve, kompanive të teknologjisë dhe profesionistëve të kujdesit shëndetësor. Përmes dialogut dhe shkëmbimit të përvojave, konferenca synon të kontribuojë në zhvillimin e një sistemi shëndetësor më modern, më të qëndrueshëm dhe më të orientuar drejt nevojave të qytetarëve.
Organizatorët ftojnë të gjithë profesionistët e shëndetësisë, institucionet, kompanitë e teknologjisë mjekësore, partnerët zhvillimorë dhe palët e interesit që të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje, e cila pritet të sjellë perspektiva të reja dhe diskutime me vlerë për të ardhmen e kujdesit shëndetësor në vend.
Konferenca “MedTech & Digital Health Kosova 2026” organizohet nga Asociacioni i Spitaleve Private të Kosovës (ASPKS) dhe Chester Group, në kuadër të Kosova Health Forum, me mbështetjen e partnerëve të saj strategjikë. 91 Life mbështet ngjarjen në cilësinë e sponsorit Gold, ndërsa Yess Pharma, Sentry Security dhe BPB janë sponsorë Bronze të konferencës. Në promovimin dhe pasqyrimin mediatik të kësaj ngjarjeje kontribuojnë edhe partnerët medialë Gazeta Shneta dhe Telegrafi.


