Ligj për nipat e dëshmorëve
Nëntë vite pas konfliktit të vitit 2001, veteranët, invalidët dhe familjarët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në vend që të nderohen me një pozicion që ju takon në shoqëri, ata gjatë nëntë viteve, u keqpërdorën në fushata zgjedhore, u ofenduan nga pala tjetër duke ju ngjitur epitete nga më degraduese dhe u dëmtuan duke vazhduar betejën me jetën në status të pabarabartë me ish bashkëluftëtarët e tyre.
Sot, nëntë vite pas atij konflikti, vazhdon debati se çfarë statusi do të ketë kjo pjesë e shoqërisë dhe çfarë të drejta do të gëzojnë ata. Edhe për këtë ligj, si për shumë ligje të tjera në këtë vend, thuhet se janë formuar grupe pune, të cilat përmenden vetëm nga partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, e jo edhe nga VMRO-DPMNE, të cilët në vazhdimësi mohuan ekzistimin e tyre.
Të themi që VMRO gënjen, apo më butë thënë nuk e pranon, dhe t'i besojmë BDI-së?
Sidoqoftë, ka apo s’ka grupe pune, përballë këtij fakti qëndron ajo thënia e famshme e Çerçillit: “Formo grupe pune nëse s'do të kryesh punë”. Por, edhe këtë dilemë na e pastroi vetë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, adhuruesi i grupeve të punës, i cili ditën që konfirmoi se janë formuar grupe pune për ndryshimet kushtetuese në gjyqësor, tha se kjo ishte një thënie e ish kryeministrit të Britanisë së Madhe, Vinston Çerçill.
Dilema e radhës që lind është: ti besojmë Çerçillit apo Ahmetit? Nga njëra anë kemi dështimin e grupeve të punës për ndryshimet kushtetuese, mu ashtu siç i kishte parashikuar kryeministri britanez, e nga ana tjetër kemi një sërë grupesh punuese për ligje, të cilat ende nuk kanë gjetur zgjidhje edhe përkundër premtimeve të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.
I akuzuar gjithnjë si pesimist, kësaj radhe me vetëdije do të bie nën ndikimin e akuzave dhe do të provoj të bëhem optimist dhe do të them se Çerçilli e ka gabim. Do të shpresoj se grupet e punës për Ligjin për UÇK-në nuk do të dështojnë siç i kishte parashikuar kryeministri britanik, por do të kenë sukses dhe do të jetësohet premtimi i Ahmetit. Por, kur do të gjendet kjo zgjidhje?
Në Parlament kemi një ligj të propozuar nga dy deputetë shqiptarë të opozitës, që nuk gjeti mbështetje jo vetëm të VMRO-së, por as edhe të BDI-së, e nga ana tjetër kemi bisedime mes dy partnerëve të koalicionit që Zoti e di ku do ta kenë fundin. Të paktën, le ta thonë nëse ky ligj do të miratohet në fund të kësaj dekade të pasluftës, ose do të zgjatet ndoshta edhe për një gjysmë dekade apo një dekadë tjetër. Sa do të ketë ky ligj kuptim nëse do të zgjatej edhe të paktën disa vite, sa persona do të përfitojnë nga ky ligj dhe sa të tjerë do të fitojnë statusin e merituar në këtë shoqëri?
A nuk do të ishte më mirë që ky ligj të ndryshonte formën dhe emërtimin dhe tani të quhej “Ligji i nipave të dëshmorëve”, që të paktën të kemi me kënd të lavdërohemi në kampanjat parazgjedhore, sepse fëmijët e dëshmorëve tanimë janë bërë burra dhe një ligj të tillë nuk do të kenë të drejtë ta gëzojnë. Po të sillet sot ligji për familjarët e dëshmorëve, nëntë vite pas përfundimit të ligjit, nga kjo do të “përfitonin” vetëm fëmijët e dëshmorëve të cilët kur u janë vrarë prindërit kanë pasur 8 vite e me pak.
Të gjithë fëmijët e dëshmorëve të cilët kanë pasur atë kohë 9 vite e më tepër, sot kanë mbushur mbi 18 vjet. Shumica prej tyre kanë kaluar arsimin fillor dhe të mesëm dhe vetëm ata e dinë se si e kanë përballuar këtë, ndërsa vetëm një pjesë e vogël e tyre do të mund të gëzonin të drejtën e studimit falas, të paktën ashtu siç premtojnë politikëbërësit shqiptarë. E nëse ligji do të vonohej edhe disa vite, edhe kjo kategori e fëmijëve të dëshmorëve do ta humbte këtë të drejtë për studim dhe shteti do të lirohej përfundimisht nga pagesa e shpenzimeve për mësim dhe studim të fëmijëve të dëshmorëve.
Nga ana tjetër, kemi invalidët e luftës të cilët për nëntë vite, kush me borxhe e kush me ndihma, kush me librezë e kush nën lëmoshë, arritën të shërojnë disa nga plagët e marra nga konflikti i vitit 2001, ndërsa rastet më të rënda prisnin përkujdesjen shtetërore. Pleqtë thonë “janë pjekur plagët”, e kështu ju ka ndodhur dhe invalidëve dhe të plagosurve të luftës të cilët pas nëntë viteve, rrallë kush do të kishte sukses në operacionet e mbuluara nga fondet eventuale të institucioneve shtetërore, edhe sikur ti dërgonim në metropolet e mjekësisë dhe sikur të operoheshin nga “maestrot” e kirurgjisë.
Ngelet vetëm kategoria e tretë, bashkëshortet e dëshmorëve, nënat të cilat arritën që ti nxjerrin në dritë jetimët e dëshmorëve duke luftuar të vetme me sfidat e jetës vetëm me ndihmën e Zotit dhe disa dashamirëve e familjarëve, ku këta të fundit, të gjithë e dimë se sa mund të ndihmojnë. Sa do të jetë e efektshme kjo ndihmë për nënat të cilat kanë arritur që me forcat e veta të shkollojë dhe në shumë raste edhe të martojnë vetë fëmijët jetimë, tu krijojë atyre familje dhe të përkujdeset duke bartur mbi supet e saj të gjithë barrën e familjes.
Sa do t'ju ndihmonte një pension nënave të cilat kanë mundur për nëntë vite, veç shpenzimeve të tjera të përditshme, të paguajnë edhe shkollime dhe semestra universitarë që për çdo muaj kalojnë shumëfishin e një pensioni mesatar në vend ose të një pensioni, që do t'i takonte me sjelljen e një ligji si ky.
Do të ishte vetëm një pikë ujë në pusin e zbrazët, por që i takon më shumë se disa që kanë fituar nga një pus me ujë e nuk kanë derdhur as një pikë djerse, e jo më pikë gjaku gjatë konfliktit të vitit 2001. Të paktën këtë të drejtë le ta gëzojnë, le t'ju blejnë nipave nga një akullore me paratë e gjyshit të tyre dëshmorë, sepse fëmijët tanimë janë bërë burra. E kur e shohim se sa shpenzime të vogla i kanë ngelur këtij shteti, edhe në rast të sjelljes së këtij ligji, pyesim se cili do të ishte kuptimi i vonesës së mëtejshme.
Mos vallë dikush dëshiron që të vonojë deri sa nga mundimi, lodhja dhe malli, të ndërrojnë jetë edhe bashkëshortet e dëshmorëve dhe përfundimisht, përfitues të Ligjit për UÇK-në, të jenë vetëm ata të cilët nëpër tubime zgjedhore do të përfitojnë poena politik, ashtu siç kanë përfituar deri më tani vetëm me premtime?


