Please enter at least 3 characters.

LDK prezanton kandidatët dhe programin në Klinë, Abdixhiku: Koha për ndryshim ka ardhur

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka nisur sot nga Klina prezantimin e kandidatëve dhe programit të LDK-së, duke e shfrytëzuar rastin për kritika të ashpra ndaj Qeverisë dhe për të prezantuar vizionin e tij për ndryshim.

Abdixhiku ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Supreme, e cila shpalli të paligjshme nenet që obligonin pensionistët të dëshmonin çdo gjashtë muaj se janë gjallë.

Sipas tij, ky vendim i dha fund një praktike poshtëruese ndaj qytetarëve që, siç u shpreh ai, e ndërtuan këtë vend.

“Ky nuk është reformim i shtetit; kjo është poshtërim i qytetarëve që e ndërtuan këtë vend”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka shprehur shqetësim të madh edhe për, siç e quajti, korrupsionin serioz qeveritar, duke thënë se sot ai po zhvillohet përmes grupeve në WhatsApp.

“Korrupsioni ka gërryer nga brenda pasurinë e Kosovës. Të fshehur pas populizmit dhe patriotizmit të rremë, kanë vjedhur në WhatsApp, kanë ndarë tenderë në WhatsApp dhe kanë kapur ndërmarrje publike në WhatsApp”, ka theksuar kandidati i LDK-së për kryeministër.

Abdixhiku ka deklaruar se po vjen koha e një qeverie të përgjegjshme, të pastër dhe të guximshme për vendime të mëdha zhvillimore, duke thënë se në Klinë LDK-ja ka njerëzit e duhur për këtë ndryshim.

Në këtë kuadër, ai ka prezantuar edhe kandidatët e LDK-së nga Klina, duke i cilësuar si përfaqësues të dijes dhe integritetit: Shqipe Pantina, magjistre e Shkencave Politike, me numër 45 në listë, dhe Astrit Desku, doktor shkence në fushën e Teknologjisë Informative dhe inovacionit, me numër 54.

“Ekipi ynë është dallimi ynë”, ka përfunduar Abdixhiku.