Lapaj: Duam sistem zgjedhor si të Kosovës
Kreu i lëvizjes “Shqipëria bëhet”, Adriatik Lapaj, ka deklaruar se ka propozuar që Shqipëria të adoptojë modelin e Kosovës në sistemin zgjedhor, duke e konsideruar atë më funksional për barazinë e votës dhe përfaqësimin politik.
Në një intervistë televizive, Lapaj tha se propozimi i tyre përfshin krijimin e një zone të vetme zgjedhore në nivel vendi.
“Propozimi që ne kemi bërë është modeli i Kosovës praktikisht, thjesht nuk ka adresuar pjesën e balotazhit. Ne kemi propozuar ‘Shqipëria një zonë zgjedhore’. Nga Kukësi në Sarandë, një zonë zgjedhore. E gjithë vota mblidhet bashkë. Kjo do të çojë te barazimi i votës,” u shpreh ai.
Sipas Lapajt, një sistem i tillë do t’u jepte më shumë hapësirë partive të reja dhe do të eliminonte pengesat aktuale që lidhen me përfaqësimin në zona të caktuara.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për lista të hapura, duke argumentuar se Parlamenti duhet të përfaqësojë individë me performancë dhe besim publik, jo vetëm strukturat partiake.
“Na duhet një Parlament ku intelektuali të qaset te partitë politike dhe të përfaqësohet për shkak të punës dhe respektit që gëzon në shoqëri,” tha Lapaj.
Në lidhje me numrin e deputetëve, ai u shpreh kundër propozimeve për ulje të Kuvendit në 100 anëtarë, duke argumentuar se kjo do të rrisë centralizimin e pushtetit.
Sipas tij, Kuvendi me 140 deputetë mbetet më përfaqësues, sidomos duke marrë parasysh edhe votën e diasporës dhe numrin e përgjithshëm të votuesve, që sipas tij arrin rreth 3.7 milionë.


