Lakers triumfojnë në ndeshjen më dramatike të sezonit në NBA
Los Angeles Lakers mposhtën Denver Nuggets me rezultatin 127:125 në një nga ndeshjet më dramatike të sezonit në NBA, pas një përballjeje të jashtëzakonshme që u vendos vetëm në sekondën e fundit të kohës shtesë.
Heroi i ndeshjes ishte Luka Doncic, i cili realizoi koshin e fitores për Lakers vetëm 0.5 sekonda para fundit, duke vulosur një triumf spektakolar për skuadrën nga Los Angeles.
Në një duel mes dy ekipeve që luftojnë për vendin e tretë në Konferencën Perëndimore, tifozët panë gjithçka që basketbolli mund të ofrojë. Lakers regjistruan fitoren e pestë radhazi, por mënyra se si erdhi kjo fitore pritet të mbahet mend gjatë.
Megjithatë, një nga momentet më të jashtëzakonshme të ndeshjes erdhi nga Austin Reaves, i cili e përfundoi takimin me 32 pikë. Kur rezultati ishte 118:115 për Denver dhe kishin mbetur vetëm 5.2 sekonda, Nuggets shkaktuan faull ndaj tij gjatë një gjuajtjeje për dy pikë.
Pas realizimit të gjuajtjes së parë të lirë, Reaves qëllimisht humbi të dytën, e riktheu topin në mënyrë perfekte nga tabela, kapi kërcimin në sulm dhe shënoi me vetëm 1.9 sekonda të mbetura për ta çuar ndeshjen në kohë shtesë.
Në shtesë loja vazhdoi me ritëm të jashtëzakonshëm. Marcus Smart i dha epërsinë Lakers me një treshe rreth 30 sekonda para fundit, por Nikola Jokic barazoi sërish rezultatin (125:125), 15.1 sekonda para fundit.
Në momentin vendimtar, Doncic mori përgjegjësinë dhe realizoi një gjuajtje të vështirë nga distanca e mesme, duke i dhënë fitoren Lakers në sekondën e fundit.
Slloveni e përfundoi ndeshjen me një triple-double mbresëlënës prej 30 pikësh, 13 asistimesh dhe 11 kërcime, ndërsa LeBron James kontribuoi me 17 pikë, 6 kërcime dhe 5 asistime.
Rezultatet:
Boston Celtics – Washington Wizards 111:100
Miami Heat – Orlando Magic 117:121
Los Angeles Clippers – Sacramento Kings 109:118
Los Angeles Lakers – Denver Nuggets 127:125


