Labi për Elijonën: Nuk jam pishman për atë se çfarë i thashë, kurrë nuk jam ndier më mirë
Në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova, tensionet mes banorëve vijojnë të rriten, dhe një nga përplasjet më të komentuara së fundmi është ajo mes Labit dhe Elijonës.
Gjatë një bisede me Londrimin, Labi u shpreh hapur se nuk ndien aspak pendesë për fjalët që i kishte thënë 18-vjeçares, të cilën e akuzoi se po viktimizohej me historinë e saj të ndjeshme lidhur me vdekjen e nënës.
I pyetur drejtpërdrejt nga Londrimi nëse e ka ndërgjegjen e pastër pas asaj që ndodhi, Labi u përgjigj pa hezitim, duke theksuar se nuk e ka ndier veten më mirë se tani. “Kurrë më mirë s’jam ndier. Patjetër. Kur dikush më çon prej gjumit në ora katër”, deklaroi ai, duke lënë të kuptohet se situata që e kishte zgjuar herët në mëngjes e kishte acaruar edhe më shumë.
Londrimi reagoi duke i tërhequr vërejtjen se zgjimi i papritur shpesh çon në reagime të pakontrolluara.
“Jerëm nuk është mirë me u çu se nuk e di se çka fol”, u shpreh ai. Megjithatë, ai shtoi se në këtë rast, Labi e kishte thënë atë që tha me vetëdije të plotë, duke nënvizuar: “Labi, me e vetëdije të plotë e ke ofenduar një 18-vjeçare”.
Kjo situatë ka ndezur diskutime edhe jashtë shtëpisë, me shumë ndjekës që po komentojnë dinamikat mes banorëve dhe mënyrën se si çdo konflikt i vogël brenda shtëpisë shndërrohet në debat të madh publik. /Telegrafi/


